“Ikja e Mijallkovit është shenja më e qartë se, përfundimisht, duhet të ikë edhe Zaevi”, kështu e ka filluar reagimin e tij, lideri i Alternativës, Afrim Gashi.

Në reagimin e tij, ai ka vlerësuar se me ikje, i akuzuari në rastin “Target-Fortesa”, Sasho Mijallkov e ka pranuar fajin, por shton, se kjo flet për rrënimin e plot të drejtësisë.

“Ikësi, me ikjen e tij, tashmë e ka pranuar fajin dhe prandaj ka ikur, por kjo më shumë se kaq flet për rrënimin e plotë të sistemit të drejtësisë dhe të sigurisë. Për fat të keq, derisa Mijallkovi ikë pa ferrë në këmbë, mbase edhe me ndihmë të kësaj qeverie, në anën tjetër babai dhe axha i Almir Aliut arrestohen pa pikë faji”, tha Gashi, transmeton TV21.

Nga ana tjetër, Prokuroria për ndjekjen e krimit dhe korrupsionit tashmë ka hedhur dyshime se Mijallkovi është arratisur dhe se për këtë e kanë ndihmuar ndokush, pasi ka filluar procedura për shqiptim të masës së arrestit shtëpiak.

Ndërkohë, tashmë është shpallur fletarrest ndërkombëtar, ndërsa policia ende është në kërkim të tij.