Marrëdhëniet e presidentit amerikan, Donald Trump, me gazetarët nuk kanë shkuar asnjëherë vaj. Por së fundmi, ai është përfshirë në një luftë të ashpër fjalësh me dy përfaqësues të medias.

Dy prezantues televizivë të sulmuar në Twitter nga presidenti amerikan, e akuzuan Trumpin se kishte gënjyer në lidhje me ta dhe sugjeruan se Shtëpia e Bardhë ishte përpjekur t’i shantazhonte.

Drejtuesit e programit të mëngjesit në “MSNBC”, Mika Brzezinski dhe Joe Scarborough thanë se ishin paralajmëruar se një tabloid do të shkruante histori negative për ta, nëse nuk do të kërkonin falje për lajmet e raportuara për Trumpin.

Ata kanë qenë tepër kritikë ndaj republikanit dhe e kanë cilësuar shpesh si narcizist, apo si shkatërrimtar të vendit. Në një sërë postimesh ofenduese të enjten, Trump iu referua atyre si “Mika e çmendur, me nivel të ulët inteligjence” dhe “Joe psikopati”.

Gjithashtu, ai tha se çifti i ishte lutur që t’i ftonte në resortin e tij në Florida me rastin e Vitit të Ri, e se Brzezinski ishte gjakosur keqazi për shkak të një tërheqjeje lëkure.

Bashkëprezantuesit, që janë gjithashtu të fejuar, iu përgjigjën presidentit me një shkrim të përbashkët për “Washington Post”, duke pretenduar se ai ishte i fiksuar pas Mikës. “Ai i sulmon gratë, pasi ka frikë prej tyre”, pohojnë gazetarët, të cilët vënë në dyshim shëndetin mendor të presidentit.

Ata mohuan të kishin kaluar 3 net në resortin e Trumpit në Florida. Çifti shkruan se e kishte refuzuar ftesën e tij për të marrë pjesë në festën e Vitit të Ri. Postimet fillestare të kreut të Shtëpisë së Bardhë për drejtuesit e programit televiziv nxitën një stuhi kritikash, përfshirë edhe nga republikanët.