Gazetarët po vihen gjithnjë e më shumë në shënjestër të sulmeve, kur kriza në Maqedoni acarohet. Protestuesit i sulmojnë gazetarët në mitingje, në restorante e madje edhe në shtëpi.

Gazetarët janë viktima të sulmeve thuajse të përditshme, në një kohë që kriza politike në Maqedoni po shkallëzohet më tej. Të rinj të maskuar ndeshen me gazetarët në shtëpitë e tyre, në restorante dhe në rrjetet sociale, me sulme verbale madje edhe me dhunë fizike.

Të martën, në 18 shkurt dy reporterë u rrahën nga sulmues të panjohur në qendër të Shkupit, kur po mbulonin një miting të mbështetësve të Presidentit Ivanov. Të dy përfunduan në spital, kurse sulmuesit e tyre nuk u gjetën, si në shumë raste të ngjashme vitet e fundit-

Gazetarët që e raportuan më vonë incidentin në rrjetet sociale u akuzuan si “tradhëtarë” dhe “mercenarë”. Fushata kishte si objekt veçanërisht gazetarët e Balkan Investigative Reporting Network (BIRN). Një përdorues anonim i twitterit madje publikoi edhe adresën e shtëpisë së një gazetari të BIRN së bashku me hartën.

Një ditë më vonë, në datën 1 mars, dy të rinj u shfaqën në derën e shtëpisë së Branko Trickovskit, që është një gazetar në pension dhe një kritik i ashpër i VMRO-DPMNE dhe sundimit të saj dhjetëvjeçar në Maqedoni. “Triçkovsi, duhet të kesh turp nga vetja, tradhëtar”, bërtiti njëri prej tyre, kurse tjetri qe i zënë me regjistrimin  e sulmit që e publikoi në YouTube.

Të enjten, Borjan Jovanovski, një gazetar tjetër i njohur u sha dhe u pështy kur po hante drekë në një restorant. Në një skenar të ngjashëm, një i ri i tha se ai është “tradhëtar”, kur shoku i tij po e regjistronte.