Plazhi i Durrësit ka nisur të gjallërohet. Kjo është fundjava e parë ku vihet re një numër i shtuar pushuesit. Nga vëzhgimi i Report Tv shihet se më i frekuentuari është plazhi i Currilave.

“Shumë mirë.Gjithë rruga e jona. Asnjë pengesë. As na pyeti njeri. Në kufi shumë në rregull. Gjithmonë kam ardhur me pushime e gjithmonë do të vij”, shprehet një pushues nga Maqedonia e Veriut.“Të themi që kjo është fundjava e parë, që po duket se ka filluar lëvizja e njerëzve. Ajo që duhet theksuar në këtë fundjavë është se na kanë ardhur klientë nga Italia, Maqedonia e Veriut se nga Kosova po e po që kanë ardhur ”, tha një pronar i restorantit.

Eduart Xhepa thotë se janë duke u zbatuar masat anti-covid në bare dhe restorante.“Distanca është 3.5 m nga çadra në çadër. Restoranti dhe bari , është organizuar puna në tavolina me distanca dhe është llogaritur të përgjysmohet numri i klientëve “, shprehet ai.

Edhe pse ky është parashikuar të jetë një vit i vështirë për turizmin, operatorët turistikë kanë shpresë tek pushuesit vendas dhe turistët nga vendet fqinje dhe hapja e kufijve me Kosovën dhe Maqedoninë duket se po jep rezultatet e para.