Situata shëndetësore në rajonin e Kërçovës është e qëndrueshme, njoftojnë nga Spitali i Përgjithshëm i Kërçovës. Drejtori, Stanko Tërpeski, bën të ditur se dy të infektuarit me virusin Korona janë në gjendje stabile dhe ata vazhdojnë trajtimin në kushte shtëpiake, duke qenë nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të mjekut amë dhe infektologut. Ai nënvizon se njëri nga të infektuarit gjatë testimit të fundit ka rezultuar negativ, ashtu sikurse edhe 9 të atestuarit e tjerë gjatë ditëve të kaluara.

Krahasuar me ditët e para të fillimit me punë të kafeneve dhe restoranteve, tani në masë të madhe respektohen rekomandimet e organeve përkatëse, ndonëse ka edhe përjashtime që lidhen me mungesën e maskave mbrojtëse dhe mosrespektimin e distancës fizike. Sektori i Punëve të Brendshme njofton se pjesëtarët e policisë dhe ata të Inspektoratit Shtetëror të Tregut gjatë ditëve të kaluara kanë zhvilluar kontrolle në 75 objekte hotelierike, ku në 6 prej tyre janë vërejtur parregullsi në zbatimin e masave preventive të funksionimit dhe ndaj tyre janë marrë masat adekuate ligjore.