Janë fëmijë emigrantësh shqiptarë që jetojnë prej vitesh në Dortmund të Gjermanisë, por lidhjet me Shqipërinë dhe gjuhën shqipe mundohen ti mbajnë gjallë.
Anisa me origjinë nga Shkodra është një prej tyre dhe së bashku me një grup mësuesish dhe nxënësish që studiojnë shqip në shkollat gjermane , po viziojnë shkollën 9 vjeçare Edith Durham në Tiranë si një prej shkollave model në drejtim të mësimdhënies.
“-Unë shkoj në shkollën gjermane, por bëj një herë në javë lëndën shqipe.
-Pse?
-Për të ruajtuar gjuhën e nënës time.
-Ti flet në shqip, pse duhet ta ruash edhe në shkollë?
-Unë kam dëshirë që jo vetëm të mund ta flas gjuhën shqipe, por edhe të mund ta shkruaj. Ta shkruaj me gramatikë. Ne mësojmë edhe historinë e Shqipërisë. Më pëlqen të di për të parët e mi , për qytete. Është e vështirë ta ruash gjuhën shqipe atje? Unë them që nuk është shumë e vështirë pasi ne në familje flasim shqip.Por ta shkruash mirë gjuhën shqipe është pak e vështirë!
Mendon se duke u rritur do ta humbasësh gjuhën shqipe?
Jo unë gjithmonë do ta mbaj, do ta ruaj gjuhën time të nënës edhe kur të rritem. Do t’ja jap edhe fëmijëve të mi që ta mësojnë” thotë Anisa.
Fëmijët kanë ardhur për një vizitë njohëse në shkollën Edith Durham në kryeqytet. Disa prej tyre kanë ikur nga Shqipëria shumë të vegjël, ndërsa disa kanë lindur në Gjermani. Mësuesi Kejmal Çallaku që u jep gjuhën shqipe rreth 200 nxënësve në tre qytete të Gjermanisë thotë se ruajtja e gjuhës është kthyer në sfidë dhe varet shumë nga vullneti dhe dëshira e prindërve për tja u trashëguar atë fëmijëve.
“Fatkeqësisht jo të gjithë prindërit e kanë kuptuar drejt. Në shkollat ku unë punoj janë përfshirë rreth 205 nxënës dhe unë jam i vetmi mësues që e jap këtë lëndë megjithëse ka punë edhe për tre vende të tjera mësuesish. Mund të jenë rreth 800 nxënës shqiptarë aty rrotull që nuk frekuentojnë gjuhën shqipe. Ka raste nga më të ndryshmet. Ka raste që janë përballë më shkollën dhe nuk e vizitojnë shkollën, por ka edhe raste që janë 30 km largësi , vijnë dhe kurrë nuk kanë munguar oër 5-6 vite rradhazi deri në klasën e 10-të” thotë mësuesi Kejmal Çallaku.
Shteti Gjerman është i gatshëm të hape vende të reja pune për mësues shqiptare kur kërkesat për mësimin e shqipes rriten. Madje gjuha shqipe ka të njëjten vlerë si anglishtja dhe zyrtarisht si gjuhë e dytë. Vetëm këtë vit janë hapur tre vende të reja punë për mësues nga Shqipëria që japin gjuhën shqipe në shkollat gjermane.
Këto takime sipas drejtoreshës Majlinda Dervishaj i japin vlera misionit të ruajtjes së shqipes dhe gjithçka shqiptare në Gjermani.Në të gjithë Gjermaninë thotë Prof. Çallaku janë rreth 50 qytete ku shkollat gjermane kanë futur mësimin e gjuhës shqipe e cila. Nga ky proçes kanë përfitur deri me tani rreth 3000 fëmijë emigrantësh.