“Dikush duhet të pyesë ku është Rusia, ku është Irani, që janë zotuar në Asatana se do të garantojnë armëpushim në Goutan Lindore”, tha Steffen Seibert, zëdhënës i kancelares gjermane, Angela Merkel, duke iu referuar bisedimeve për paqe në Siri, që janë zhvilluar në kryeqytetin e Kazakistanit.
“Pa mbështetjen e këtyre dy aleatëve, regjimi i presidentit sirian, Bashar al-Assad, nuk do të ishte aty ku është sot dhe, pa dyshim, pa këtë mbështetje, ky regjim do të tregonte më shumë gatishmëri për të negociuar në procesin e OKB-së”, shtoi Seibert.
Reagimi vjen pasi Vëzhguesi Sirian i të Drejtave të Njeriut ka thënë se së paku 250 civilë, përfshirë 58 fëmijë, janë vrarë në Goutan Lindore që nga mbrëmja e 18 shkurtit dhe se 1,200 të tjerë janë plagosur.
Rusia dhe Irani i kanë dhënë mbështetje politike dhe ushtarake Qeverisë së Assadit gjatë luftës shtatëvjeçare në Siri.
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, e ka mbrojtur fushtaën e sulmeve në Goutan Lindore, duke thënë se ajo ka në shënjestër “terroristët” dhe se nuk është e drejtuar kundër civilëve.
Gouta Lindore kontrollohet nga rebelët sirianë. Rreth 400,000 njerëz jetojnë në këtë enklavë, e cila është nën rrethim qysh në vitin 2013.