Numri i dëbimeve të personave pa të drejtë qëndrimi në Gjermani është rritur, në kuotën më të lartë që prej dhjetë vitesh. Listën e personave të dëbuar, e kryesojnë madje me distancë prej grupeve të tjera, azilkërkuesit nga vendet e Ballkanit.

Vetëm nga Shqipëria, Kosova, Serbia, Maqedonia, Bosnje Hercegovina dhe Mali i Zi janë dëbuar këtë vit 14 529 vetë, gati tre të katërtat e rasteve.

Nga janari deri në shtator të këtij viti janë dëbuar gjithsej 19 914 të huaj nga Republika Federale, ka bërë të ditur gazeta gjermane “Rheinische Post”, duke u bazuar në të dhënat e policisë federale, shkruan “Deutsche Welle”.

Po ashtu është dyfishuar edhe numri i azilkërkuesve të dëbuar nga Siria në 426 vetë, si edhe azilkërkues nga Afganistani.

Jo të gjithë kthehen në vendin e tyre. Vetëm 27 afganë për shembull janë riatdhesuar, pjesa tjetër është dërguar në vende të tjera të BE­-së apo vende të treta.

Madje deri në fund të vitit kjo shifër pritet të rritet deri në 26.500 vetë, kuota më e lartë që nga viti 2003. Vitin e kaluar janë dëbuar 20.888 persona.