Në emisionin debatues Zig Zag të gazetarit Seladin Xhezairi pjesëmarës ishin: Xhevat Ademi, deputet i BDI-së, profesori universitar Alajdin Demiri dhe gazetarët Lirim Dullovi dhe Albert Hani. Tema e emisionit ishte procesi postzgjedhor dhe negociatat për formimin e qeverisë së re.

Ademi: Gjuha shqipe objekt kryesor i negociatave. BESA komunikon direkt me LSDM-në

Deputeti shumëvjeçar i BDI-së, Xhevat Ademi deklaroi se BDI në kuadër të bisedimeve i ka dhënë propozimet e veta dhe nëse LSDM e pranon platformën që sonte do t’i ketë nënshkrimet për marrjen e mandatit por nëse nuk kanë kurajo intelektuale dhe shtetformuese ta harrojnë atë.

Negociatat kanë si qëllim formimin e një qeverie stabile dhe reformatore por problemi kryesor mbetet gjetja e një zgjidhje për përdorimin e gjuhës shqipe. Ademi përjashtoi mundësinë e përsëritjes së zgjedhjeve dhe insistoi se ata si subjekt i vjetër dhe fitues duhet edhe t’i udhëheqin negociatat në emër të partive shqiptare, por u mungon koordinimi me Besa-n e cila komunikon direkt me LSDM-në edhe pse sipas Platformës subjekti fitues duhet të flasë në emër të të gjithëve.

Alajdin Demiri: Në BDI ka një kakofoni, po i ndodh një “PPD-izim”

BDI dhe BESA janë faktor determinues falë rezultateve jo falë mbështetjes reale në elektorat. Ky rezultat ka një të mirë, që e ka kthyer BDI-në pas 16 viteve në realitet duke nxjerrë në pah ndarjet e brendshme nga kakofonia që po dëgjojmë çdo ditë. Edhe BESA ka dëmtuar faktorin shqiptar duke insistuar që tryeza të thirret nga kryeministri Rama, duke u dhënë shkas maqedonasve ta akuzojnë atë se po përzihet në punët e brendshme të shtetit fqinj. Maqedonasve dhe qendrave sllave nuk u konvenon koncepti multietnik i Maqedonisë, prandaj kërcënojnë me trazira – u shpreh Demiri.

Lirim Dullovi: LSDM dhe VMRO nuk dallojnë kur janë në pyetje shqiptarët

Sipas një ankete të publikuar nga TV Telma, të gjithë maqedonasit, pa marë parasysh nëse janë përkrahës të LSDM-së apo VMRO-DPMNE-së, kundërshtojnë Platformën e partive shqiptare – u shpreh Dullovi. Shqiptarët duhet të bëjnë luftë politike për të drejtat e veta dhe jo ta fajësojnë Gruevskin apo dikë tjetër për mosrealizimin e tyre për shkak se në këtë mënyrë e rrisin çmimin e palës tjetër që nuk është shumë më e ndryshme se VMRO-ja. Preferoj çfarëdo lloj zgjidhje mjafton të dilet nga kjo gjendje 2 vjeçare – përfundoi Dullovi

Albert Hani: Qeveri e zgjeruar me mandat të fuqishëm

 

Të gjitha rrugët çojnë drejt një qeverie të zgjeruar, politike ose ekspertësh. Apeloj që së paku të jetë një qeveri e guximshme që të ketë ingerenca të mëdha dhe mandat të plotë për zgjidhjen e pytjeve të rënda – deklaroi Hani.