Gjovalin Shkurtaj
Para disa ditësh, dëgjova lajmin e mirë se Bashkia e Prishtinës në bashkëpunim me kompaninë AppBites dhe dy të rinj të talentuar hodhën në treg një aplikim të ri, i cili ka si synim t’i ndihmojë qytetarët e saj që ta gjejnë vendndodhjen e autobusëve publikë në çdo kohë.
Nuk m’u durua, e gjeta dhe e shkarkova aplikimin “Trafiku Urban” në telefonin tim, për të parë si përdorues se si ky aplikim bashkëkohor do të më ndihmonte edhe mua (nëse do të isha ne Prishtinë) në gjetjen e vendndodhjes se autobusëve dhe si kjo do të mund të ma shkurtonte kohën për të shkuar në stacionin më të afërt dhe të marr autobusin pa humbur kohë.
A është aplikimi “Trafiku Urban” i vlefshëm për udhëtarët e Prishtinës?

@TrafikuUrban – Hapja
Si një 75-vjeçar, unë nuk jam përdorues i thekur aplikimesh telefonike, dhe as njohës i thellë i teknologjive të tilla. Porse, gjithmonë më tërheqin, si përdorues dhe si studiues i gjuhës, se si ato përdorin gjuhën shqipe dhe vlerësoj rolin e madh që ato kanë dhe do të kenë në ruajtjen dhe përdorimin e drejtë të saj në të ardhmen.
Pasi e përdora aplikimin për dy ditë (nga Tirana), mendoj se ky është një fillim i mbarë dhe që tregon se qeverisja vendore e Prishtinës po kërkon ta rrisë cilësinë e shërbimeve për publikun. Si fillim, aplikimi lejon gjetjen e vendndodhjes së autobusëve të linjave (1) dhe (4).
Do të ishte ide e mirë, që ky aplikim të shtrihej jo vetëm në gjetjen e vendndodhjes se autobusëve publikë, por edhe të atyre privatë si dhe të taksive. Kjo do të bënte që qytetarëve të Prishtinës t’u mundësohej një shkallë më e lartë e shërbimeve publike dhe rritja e përdorueshmërisë së tyre.
Ky aplikacion është i vlefshëm si për telefonat e platformës Apple dhe Android dhe mund të shkarkohet këtu:
Gjuha Shqipe në aplikimin “Trafiku Urban”
Menjëherë kur futesh për të shkarkuar (download) aplikimin në telefon, shikon se si është përdorur gjuha shqipe. Këtu do të thosha se ka vend për përmirësime.
Siç shihet dhe në figurën 1, aplikimi të thotë: “Gjej distancën nga pozita juaj” . Në gjuhën shqipe, kjo do të duhet të thuhej: “Gjeni largësinë e autobusit nga vendndodhja juaj”.
Gjithashtu, në hyrje aplikimi ofron që për të pasur një përvojë më të mirë përdoruesit i

@TrafikuUrban – Aktivizimi i shërbimit të vendodhjes
thuhet: “lejoni sherbimet e lokacionin” (location Services). Në gjuhën shqipe, kjo do të duhej të thuhej: “Për një përvojë më të mirë, aktivizoni shërbimin e vendndodhjes (location services)”.
Këtu, ndoshta, do të ishte mirë që autorët të vinin një lidhje (link), ku përdoruesi të shkonte drejtpërdrejt të aktivizonte shërbimin e vendndodhjes (p.sh: në iPhone – Settings / Privacy / Location Services)
Një aplikim i tillë, i formuluar mirë edhe në gjuhën shqipe, do ta kishte më lehtë shpërndarjen dhe përdorimin e tij në të gjithë hapësirat shqipfolëse në Shqipëri, FYROM apo Mal i Zi.
Dhe, për ta mbyllur, me dashamirësi, bashkë me përgëzimet që ky aplikim i ri ka filluar të jetësohet, do të dëshiroja që, për çdo njoftim të tillë, ashtu si në të gjitha botimet e publikimet e shkruara në letër ose në sistemin “on-line”, të tregohej kujdesi i duhur edhe për një redaktim e korrektim të kujdesshëm e në përputhje me rregullat e drejtshkrimit e me normën e sotme të shqipes së njësuar (standarde). Le të mos harrojmë se, ashtu si thoshin latinët e urtë: “Verba volant, scripta manent” (Fjala e folur fluturon, e shkruara mbetet).
Urojmë me gjithë shpirt që, për të gjitha botimet dhe publikimet e tilla, kujdesi për drejtshkrimin dhe zbatimin e normave të shqipes standarde të jenë pjesë e pamungueshme dhe e përhershme e mbërritjeve dhe sukseseve të shqiptarëve në të gjitha hapësirat shqiptare dhe kudo që veprojnë e krijojnë sot shqiptarët.
Kujdesi për shqipen e shkruar, për pasurimin dhe pastrimin e saj kanë qenë dhe duhet të jenë kurdoherë detyrë me rëndësi kulturore dhe kombëtare.