108 vjetori i alfabetit shqip, gjuhën shqipe në Maqedoni e gjen të nëpërkëmbur dhe të neglizhuar nga Institucionet. Ky është konstatim i gjuhëtarëve të cilët thonë se nuk shohin gatishmëri të autoriteteve për të zgjidhë këtë problem. Profesoresha Ajete Qamili thotë se Institucionet dhe partitë deri më tani më shumë kanë premtuar se sa kanë punuar për zbatimin e ligjit për gjuhën dhe mbrojtjen e saj.

“Për këtë arsye duhet të ekzistojnë institucione, pavarësisht që ka ose jo tendenca. Unë gjithmonë synojë për cilësi. Këto reklama apo fjalë thuhen gjithmonë, prej institucioneve apo partive që kërkojnë cilësi, por askush nuk e zbaton. Ka shumë probleme nëpër mbishkrime si ato rrugore por edhe në ato të institucioneve”, u shpreh profesoresha Ajtene Qamili.

Dekani i Fakultetit Filologjik në UT Fatmir Sulejmani thotë se autoritetet nuk kanë bërë sa duhet për shqipen në Maqedoni. Ai madje thotë se për mbrojtjen e gjuhës duhet të intervenojë Shqipëria.

“Natyrisht që nuk është bërë sa duhet, në asnjë instancë dhe ka ende shumë për të bërë. Përsëri po e them për fat të keq nuk do të duhet që ne të prijmë në çështjen e ruajtjes së gjuhës. Do të duhej Shqipëria të prij në këtë aspekt” deklaroi Fatmir Sulejmani, Dekan i Fakultetit Filologjik, UT.

Gjuhëtari Arlind Farizi thotë se respekti më i madh ndaj gjuhës shqipe do të ishte shqiptimi adekuat i saj.

“Respekti më i madh i gjuhës është ta përdorim drejtë dhe ta shqiptojmë drejtë. Realisht përdorimi i gjuhës është në gjendje jo të duhur. Flasim për një respektim të standardit të shqipes në nivele të duhura” tha gjuhëtari Arlind Farizi.

Përdorimi i gjuhës shqipe në Maqedoni është rregulluar me kategori kushtetuese që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, por zbatimi në praktikë duket akoma larg. Edhe aty ku përdoret, shqipja nëpërkëmbet, kryesisht në tabelat rrugore, Institucione dhe përkthime të titujve shkencorë apo teksteve shkollore.