Pas një procesi të rinovimit prej një viti e katër muajsh, me dhënien e objektit me vendim të Qeverisë dhe procedurën e zbatuar për prokurim publik, Gjykata Administrative sot ka promovuar objektin e ri të rinovuar me mjetet e siguruara nga Këshilli Buxhetor Gjyqësor në shumën prej rreth 55 milionë denarë.

Objekti ka një sipërfaqe prej 2680 m2 dhe gjendet në qendër të Shkupi në rrugën “Dame Gruev” nr.6, dhe në kuadër të tij është edhe Qendra mediatike e gjykatës, pjesë e projektit të përbashkët me misionin e OSBE-së në Shkup qëllimi i të cilit është të kontribuojë në përmirësimin e transparencës së punës së Gjykatës Administrative me mediat por edhe me palët tjera të interesuara.

Kryetari i Gjykatës Administrative, Burim Sejdini, në fjalën e tij përshëndetëse në manifestimin e sotëm theksoi se ofrimi i kushteve më të mira për punën e gjykatës ka qenë sfidë që nga fillimi i detyrës së tij si kryetar i gjykatës në vitin 2017.

“Sot me krenari mund të themi për Gjykatën Administrative se ajo i ka të gjitha kushtet e nevojshme për avancimin dhe përmirësimin e punës gjyqësore. Konkretisht, bëhet fjalë për kushte në favor të gjyqtarëve që marrin vendime në baza ditore si dhe në favor të administratës gjyqësore, siç është logjistika e gjyqtarëve në Gjykatën Administrative që arbitrojnë drejtësinë dhe vendimet e të cilëve në mënyrë të pashmangshme ndihmojnë, respektojnë vlerat demokratike, vlerat themelore të Kushtetutës si dhe përmbushjen e standardeve evropiane dhe inkurajimin e zhvillimit të përgjithshëm shoqëror të vendit”, theksoi Sejdini.

Ai shtoi se ndryshe nga objekti i vjetër, godina e re ka kushte të shkëlqyera me tetë salla gjyqi, në të cilat, siç tha ai, “nuk do të ketë asnjë pengesë në mbajtjen e seancave publike”.

Ministri i Drejtësisë, Nikolla Tupançeski me këtë rast theksoi se efikasiteti dhe cilësia e punës së organeve gjyqësore në përgjithësi varet nga shumë faktorë, duke përfshirë kushtet në të cilat zbatohet drejtësia dhe në të cilat zhvillohen procedurat.

“Me hapjen e godinës së re të Gjykatës Administrative, padyshim se segmenti infrastrukturor dhe kapaciteti i gjykatës do të përmirësohet dhe forcohet në aspekt të funksionalitetit në procesin e sigurimit të mbrojtjes së të drejtave dhe detyrimeve të palëve në procedurë, me përmirësimin e kushteve hapësinore për zhvillimin e gjykimeve, punën e stafit të gjykatës dhe sigurimin e kushteve të përshtatshme për funksionimin e përgjithshëm të gjykatës”, tha ministri Tupançeski.

Kryetarja e Këshillit Gjyqësor, Pavlinka Cërvenkovska tha se të gjithë jemi të vetëdijshëm se procesi i reformës në gjyqësor është kompleks, i gjerë dhe duhet një kohë më e gjatë derisa të arrijmë gjithçka që është planifikuar dhe imagjinuar.

Ambasadori i misionit të OSBE-së, Klemens Koja, vuri në dukje bashkëpunimin me gjykatën që ka filluar në vitin 2020, pas hyrjes në fuqi të Ligjit për kontestet administrative, kur misioni i OSBE-së në partneritet me Akademinë e gjyqtarëve dhe Prokurorëve publikë mbështeti trajnimet për gjyqtarët, avokatët dhe bashkëpunëtorët e Gjykatës Administrative.

Në hapjen zyrtare të godinës morën pjesë zyrtarë të lartë shtetërorë, përfaqësues të korit diplomatik si dhe anëtarë të Këshillit gjyqësor, gjyqtarë, anëtarë të komunitetit akademik dhe shkencor, punonjës dhe bashkëpunëtorë të Gjykatës Administrative.

Gjykata Administrative si pjesë e sistemit të drejtësisë është themeluar në vitin 2007, duke zënë vendin e saj si gjykatë e pavarur me kompetenca dhe përgjegjësi të përcaktuara në Ligjin për kontestet administrative nga viti 2006.