Hysri Peqani, i njohur si “Burdushi”, nuk ka shkuar ende në vuajtje të dënimit me burgim, pasi nga Gjykata Themelore në Prishtinë, më 10 janar 2023, ishte dënuar me dënim unik prej 4 vite e 6 muaj burgim dhe 42 mijë euro gjobë lidhur me akuzën për ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike, mashtrim, shpëlarje parash dhe armëmbajtje pa leje, e të cilin dënim më 30 qershor 2023 e kishte vërtetuar edhe Gjykata e Apelit.

Sipas urdhëresës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Gjykata Themelore në Prishtinë më 21 gusht 2023, e ka urdhëruar “Burdushin” që më 18 shtator 2023, deri në orën 12 të paraqitet në Shërbimin Korrektues të Republikës së Kosovës, në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, për të filluar mbajtjen e dënimit me burgim.