Gjykata federale në Gjermani ka vendosur se qytetet në atë vend kanë të drejtën të ndalojnë lëvizjen e makinave me naftë në zonat urbane me qëllim që të reduktojë ndotjen e ajrit.

Ky rast shkaktoi reagime në publikun gjerman edhe para se të nxirrej vendimi, për shkak të pasojave të mundshme për industrinë e automobilave vendase, e cila në vitet e fundit është tronditur nga skandali “dizel gate”.

Padia u iniciua nga një organizatë jo-fitimprurëse për mjedis jetësor, e cila merret me mbrojtjen e mjedisit.

Sipas Ministrisë së Trafikut, në rrugët gjermane lëvizin mbi 15 milionë automjete me naftë, shumë prej të cilave janë modele më të vjetra dhe konsiderohen si ndotës të madh të ajrit kur bëhet fjalë për emetimet e dëmshme.

Përveç Shtutgartit, ndalimin e makinave me naftë në rrugët e tyre janë duke e shqyrtuar edhe Dyseldorfi dhe Munihu.

Ndryshe, disa nga metropolet kryesore evropiane, si Madridi dhe Athina, tashmë kanë njoftuar se do të ndalojnë qarkullimin e automjeteve me naftë deri në vitin 2025, ndërsa Franca dhe Britania e Madhe do të ndalojnë automjetet me dizel deri në vitin 2040. /kp/Telegrafi/