Gjykata Penale ka vendosur përfunimisht që Fejzi Aziri nga rasti Monstra të kthehet në burg. Kjo pasi e refuzoi ankesën e tij për pushim mjekësor jashtë burgut. Gjykata Penale nuk kishte dhënë detaje ose arsye për këtë vendim, se me çfarë baze e kishte refuzuar kërkesën e Azirit, por vetëm kishte njoftuar se kërkesa është refuzuar.

“Këshilli Penal ka sjellë vendim që të refuzojë ankesën e të akuzuarit F. A. si të pabazë”, ishte arsetimi i shkurtër i gjykatës. Vendimi i Gjykatës Penale erdhi menjëherë pas seancës së fundit gjyqësore të rastit Monstra, e cila u anulua shkaku i mungesës së Azirit, i cili gjendej në spital.

Pas këtyre informacioneve, policia shkoi në spitalin shtetëror dhe mbajti nën roje Azirin derisa të merret vendimi gjyqësor pasi edhe pse atij i kishte skaduar për më shumë se një muaj leja fillestare për mjekim, ai më nuk ishte kthyer në burg në afatin e paraparë. Për një muaj rresht, burgu i Shtipit e kishte llogaritur Azirin si të arratisur.

Në seancën e parë gjyqësore pasi që e kishte marrë rastin “Monstra” Prokuroria Speciale, avokati i Azirit i cili qëndronte në burg për armëmbatje pa leje nuk erdhi në gjykim. Naser Raufi tha se ai është në mjekim në Klinikën për Pulmologji të Shkupit, prandaj nuk ka mundur të vijë në gjykim, por ky ishte momenti kur u kuptua se Azirit ia kishte lënë Drejtoria për Ekzekutimin e Sanksioneve statusin pezull, as se duhet të kthehet në burg e as se duhet të qëndrojë në liri për mjekim. Derisa Aziri priste përgjigjen mbi kërkesën për vazhdimin e lirisë për mjekim, Burgu i Shtipit e evidentoi atë si të arratisur./SHENJA/