Gjykatësi Safet Kadriu, i cili është zëdhënës i Gjykatës së Apelit – Shkup, si dhe njëkohësisht është edhe një nga gjykatësit që ka qenë pjesë e Këshillit që ka vendosur për masën e paraburgimit për Katica Janevën, konfirmoi se gjykata e shkallës së dytë ka mbajtur kolegjium pas akuzave të prokurores Villma Ruskoska, por nuk kumtoi detaje. Për emrat e gjykatësve të tjerë që kanë vepruar së bashku me të në sjelljen e vendimit për masën e paraburgimit, Kadriu nuk deshi të komentojë, e as nuk iu përgjigj pyetjes se çfarë ka qenë vendimtare që të ndryshohet masa e paraburgimit në arrest shtëpiak për Janevën.

Safet Kadriu: “Ne si repart penal kishim kolegjium me konkluzion se deri tek opinioni publik duhet të dërgohet kumtesë, e cila do të dërgohet për 30 minuta”.

Pra, ekziston SMS mesazhi i cili u është dërguar gjykatësve?

Safet Kadriu: “Ekziston, po, ekziston”.

Cilët ishin gjykatësit që vendosën?

Safet Kadriu: “Do të shihni në kumtesë”.

Të paktën emrat e gjykatësve që në mënyrë të drejtpërdrejtë janë të përfshirë në këto kërcënime?

Safet Kadriu: “Këshilli penal i cili në mënyrë të rregullt vepron pas lëndëve”.

Në çfarë bazohet vendimi i djeshëm?

Safet Kadriu: “Nuk nevojitet që unë të jap arsyetim për mënyrën se si vendosim ne, për këtë gjë do të ketë kumtesë”.