Shefja e misionit të OSBE-ODIHR e angazhuar në Maqedoni, Audrey Glover, ka folur në një intervistë të Alsat M në lidhje për zgjedhjet lokale, gjegjësisht për rrethin e dytë më 29 tetor, përcjell Fol.

ALSAT M: Znj. Glover a mund të na thoni cili është roli i ODIHR-it në këto zgjedhje lokale?

Po, me kënaqësi. Në fakt, ne jemi këtu me ftesë të ministrit të jashtëm. Kemi qenë këtu që nga 11 shtatori. Një javë pasi arritëm na u bashkëngjitën disa vëzhgues afatgjatë, 20 prej tyre, të cilët u informuan dhe u shpërndanë përreth vendit. Vetëm një ditë para ditës së zgjedhjeve na u bashkëngjitën rreth 200 vëzhgues afatshkurtër, të cilët po ashtu u informuan dhe u shpërndanë përreth vendit. Po ashtu na u bashkëngjit edhe Këshilli I Kongresit Evropian të autoriteteve lokale. Pra mbi 200 njerëz vëzhgojnë gjatë ditës së zgjedhjeve.

ALSAT M: Kur do ta publikojë ODIHR-i raportin përfundimtar të këtyre zgjedhjeve lokale dhe si ishte rrethi i parë i zgjedhjeve?

“I gjithë procesi zgjedhor nuk ka mbaruar akoma, sepse akoma nuk e kemi pasur rrethin e dytë dhe mund të ketë ankesa për rrethin e dytë të cilat po ashtu duhet të shqyrtohen. Siç duket në këtë fazë ne akoma nuk e kemi parë gjithë fotografinë dhe nuk mund të komentojmë. Por ne kemi thënë në rrethin e parë se ka kornizë ligjore, e cila mundëson mbajtjen e zgjedhjeve demokratike nëse implementohet.”

ALSAT M: Cila është rëndësia e këtyre zgjedhjeve lokale për demokracinë e vendit tonë?

“Të gjitha zgjedhjet janë të rëndësishme, sepse i mundësojnë votuesit të votojë dhe kështu të bëjë një zgjedhje mes kandidatëve. Pra kandidatët do të duhet të kenë mundësi të bëjnë kampanjë në një fushë të barabartë të lojës dhe votuesit do të duhet të kenë mundësi të bëjnë një zgjedhje. Ne gjithmonë kemi menduar se zgjedhjet lokale janë shumë të rëndësishme, sepse votuesi është shumë më i interesuar për problemet e tij lokale, si për shembull çështja e mbledhjes së mbeturinave, rrugët etj. Prandaj është shumë e rëndësishme që në zgjedhjet lokale të sigurohemi se votuesi ka mundësi të sheh se me çfarë ka të bëjë kampanja, çfarë thonë kandidatët. Këto zgjedhje janë mjaftë interesante sepse ka pasur shumë takime që iu kanë mundësuar njerëzve të kuptojnë se çfarë do të bëjnë kandidatët e nominuar”.

ALSAT M: A keni ndonjë mesazh për qytetarët tanë, partitë politike dhe institucionet kompetente?

“Nuk është roli ynë të japim mesazhe, sepse ne jemi këtu për të vëzhguar. Pra nuk ndërhyjmë aspak në proces, në asnjë mënyrë. Nuk jemi politik, jemi tërësisht të paanshëm. Por kuptohet se përderisa po vëzhgojmë zgjedhjet ne do të donim të shihnim njerëzit që kanë të drejtë ligjore për të votuar, të dalin e të votojnë”. /Fol/