Fokus bën të ditur se ish-shefi i drejtorisë së pestë në DSK, Goran Grujovski, i akuzuar nga PSP, mund të fshihet në Bosnjë e Hercegovinë. Ai është i lindur atje dhe posedon shtetësi të Bosnjës.

Grujovski së bashku me Nikolla Boshkovski, tanimë 36 ditë ndodhen në arrati, pasi Gjykata e Apelit vendosi t’ua shqiptojë masën e paraburgimit, si të akuzuar nga PSP në rastet “Shënjestra” dhe “Fortesa”.

Në opinion spekulohej se të arratisurit ndodheshin në Shqipëri, por burime nga MPB thanë se nuk ka diçka të tillë.

Siç u njoftua më herët, Grujovski ka edhe një identitet tjetër me emrin Vlladimir Varellov. Ndërsa sipas MPB-së INTERPOL-i ka qenë i njoftuar për këtë emër.

Fletarresti ndërkombëtar për dy të akuzuart u nënshkrua më 26 qershor, pasi policia nuk arriti t’i gjejë dhe arrestojë në Maqedoni.

Grujovski është i akuzuar për veprat penale: “shoqëri kriminale”, “keqpërdorim të detyrës zyrtare”, “falsifikim të dokumenteve zyrtare”, ndërsa Nikolla Boshkovski ngarkohet për veprat: “keqpërdorim të detyrës zyrtare” dhe “falsifikim të dokumenteve zyrtare”./Telegraf