Kandidatët për kryetar komune në Gostivar kanë zhvilluar një takim informal për të shprehur angazhimin për një fushatë të mirë dhe pozitive.

Nevzat Bejta, kryetar i Komunës së Gostivarit, i cili rikandidon nga BDI, Sabajdin Izeiri i PDSH-së, Arben Taravari i partisë Aleanca për Shqiptarët, Asaf Ademi i Lëvizjes Besa, si dhe Dafina Stojanovska nga VMRO-DPMNE, u takuan sot për herë të parë pas kandidimit në zgjedhje.

Gjatë takimit, Bejta tha se i kishte dhuruar kundërshtarëve nga një hartë me projektet e realizuara katër vitet e fundit në Gostivar.

“Në fillim të takimit, në mënyrë simbolike dhe për të pasur një fushatë të informuar, për ta, u dhurova nga një hartë të projekteve të realizuara në Gostivar. Ishim të gjithë dakord se fushata duhet të jetë pozitive dhe në respekt të qytetarisë që na karakterizon si qytet. Gostivari meriton të shohë shembuj pozitivë,” tha Bejta për gazetarët.

Asaf Ademi i Lëvizjes Besa, parti ndaj së cilës ka pasur akuza për veprime politike antishqiptare dhe zëra për bashkëpunim me VMRO-në, tha se takimi është i mirëseardhur duke përgëzuar gazetarët e Gostivarit për këtë iniciativë.

“Personalisht nuk kam kundër asgjë personale me kundërkandidatët. Të gjithë kemi synim të zhvillojmë qytetin e Gostivarit”, tha Ademi i Besës.

Arben Taravari, i Aleancës për Shqiptarët, në këtë periudhë parazgjedhore e ka pasur të vështirë të krijojë lidhje me qytetarët e Gostivarit, për shkak se deklaroi pas përzgjedhjes së kandidonte për interesat politike të partisë. Ai gjithashtu shihet si i larguar nga qyteti për vendbanimin e tij në Shkup.

Pas takimit me kundërshtarët Taravari tha se ideja për tu ulur në një tavolinë kandidatët për Gostivarit është ide e shkëlqyeshme dhe bëri thirrje që kjo praktikë që ndodh për herë të parë në Gostivar të aplikohet edhe në zgjedhjet e tjera lokale.

Takimi u zhvillua në njërën nga ëmbëltoret e qytetit, ndërsa zgjedhjet lokale zhvillohen më 15 tetor.