Departamenti Amerikan i Drejtësisë njoftoi të martën se ka zbuluar vjedhjen më të madhe të kriptomonedhës në histori dhe ka sekuestruar një rekord prej 3.6 miliardë dollarësh në bitcoin.

Bota financiare po priste me padurim të kuptonte se kush qëndronte pas grabitjes historike dhe të gjithë mendonin se pas kësaj mund të qëndronin disa hakerë, apo bankierë me pozita të larta, transmeton portal arbresh.info

Por, The Telegraph, shkruan se pas kësaj grabitje janë një repere që përformon në TikTok dhe burri i saj magjistar.

Njujorkezi Ilya “Holandez” Lichtenstein, 34 vjeç dhe gruaja e tij, Heather Morgan, 31 vjeç, u arrestuan në Manhatan këtë javë me akuzën e pastrimit të parave.

Lichtenstein dhe Morgan ishin aktive në rrjetet sociale, ku ajo prezantohej si reperja “Razzlekhan”, një pseudonim që doli, siç shpjegoi ajo në faqen e saj, si “një kombinim i Genghis Khan dhe pica”. Heather Morgan është akuzuar për pastrimin e miliarda dollarëve në kriptovaluta të vjedhura duke hakuar një shkëmbim të monedhës virtuale në vitin 2016.

Përveç repit, Morgan provoi dorën e saj në pikturë, dizajn të modës dhe shkrim, dhe u prezantua si një lloj trajnere. Një nga punimet e saj të fundit titullohet “Këshilla për të mbrojtur biznesin tuaj nga kriminelët kibernetikë” dhe në të këshillohet se si të parandalohet mashtrimi i kriptomonedhave.

Çifti tani akuzohet për përpjekje për të pastruar 119,754 bitcoin të vjedhura pasi një haker depërtoi në një shkëmbim Bitfinex në 2016 dhe nisi më shumë se 2,000 transaksione të paautorizuara.

Zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë thanë se transaksionet në atë kohë u vlerësuan në 71 milionë dollarë në bitcoin, por me rritjen e vlerës së kriptomonedhës, vlera tani tejkalon 4.5 miliardë dollarë.

Ata akuzohen për pastrim parash dhe për mashtrim në SHBA.

Çështja është aktualisht në gjykatën federale në Uashington, ndërsa Lichtenstein dhe Morgan janë lënë në arrest shtëpiak.

Gjatë arrestit shtëpiak, atyre nuk u lejohet që të përdorin asnjë mjet teknologjik dhe do të qëndrojnë nën vëzhgimin e autoriteteve./arbresh.info/