I presim komentet dhe vërejtjet e palës tjetër pas projekt marrëveshjes së dërguar dhe presim të bëhen hapa drejt avancimit, tha zëdhënësi i Qeverisë greke Dimitris Xanakopulos, në brifingun e sotëm të rregullt me gazetarët, duke u përgjigjur në pyetjen e korrespondentit të MIA-s nga Athina, në lidhje me pritjet e Greqisë në prag të vizitës së shefit të diplomacisë greke Nikos Koxias në Shkup.
“Presim të bëhen hapa drejt avancimit. I presim komentet dhe vërejtjet e Qeverisë së IRJM-së dhe shpresojmë se do të kemi sukses të gjejmë një terren të përbashkët të takimeve të ardhshme. Megjithatë, kjo në masë të madhe varet edhe nga pala tjetër”, tha Xanakopulos.

Duke e pasur parasysh atë se në periudhën e fundit, në Athinë gjithnjë e më shpesh përmendet revizioni i Kushtetutës së Maqedonisë, megjithatë pa ekzistuar sqarim çka saktë do të thotë ajo, korrespondenti i MIA-s nga Athina kërkoi nga zëdhënësi i Qeverisë greke, nëse kërkesa greke për ndryshime kushtetuese ka të bëjë vetëm me emrin ose edhe për disa nene të Kushtetutës së Maqedonisë.

Xanakopulos sqaroi se projekt marrëveshja i përmban pozitat bazë të palës greke në negociatat, gjegjësisht “nevojën që të gjindet marrëveshje e pranueshme e përbashkët me emër të ndërlikuar që do të vlejë erga omnes, gjegjësisht për përdorim gjithëpërfshirës, diçka për çka parakusht është edhe ndryshimi adekuat kushtetues”.

“Ekziston edhe bisedë që ka të bëjë me çështjet për irredentizmin dhe për atë nëse dhe sa do të mund dispozitat adekuate të Kushtetutës së IRJM-së të konsiderohet se përmbajnë pikërisht një lloj të tillë të vizioneve irredentike. Por, kjo është diçka që është temë e bisedës dhe i presim edhe qëndrimet politike, por edhe qëndrimet ligjore të fqinjëve tanë për çështjen konkrete, por ju them se kjo është pjesë e negociatave teknike që po zhvillohen”, u përgjigj Xanakopulos në pyetjen e MIA-s,

Në lidhje me deklaratën e liderit të partisë POTAMI pas takimit me Cipras, javën e kaluar, se Qeveria greke ka për qëllim pas festës së Pashkëve t’i sjell propozimet në parlament, Xanakopulos tha se nuk do t’i komentojë çështjet që kanë të bëjnë me negociatat të cilat janë në vijim.

Në pyetje të gazetarëve nëse partneri i koalicionit SYRIZA, Panos Kamenos është i njoftuar me përmbajtjen e projekt marrëveshjes dhe nëse ka disa vërejtje, zëdhënësi i Qeverisë greke, sqaroi se lideri i Grekëve të pavarur është i njoftuar për vijimin e negociatave dhe “e ka shprehur pozitën e tij politike që është e njohur”.

“Nuk do të rekomandoja që të presim për të arritur deri te marrëveshja përfundimtare që t’i dëgjojmë qëndrimet e të gjitha forcave politike”, shtoi Xanakopulos.

Zëdhënësi i Qeverisë greke në brifingun e sotëm të rregullt me gazetarët i kumtoi edhe terminet për vizitën e ministrit të Punëve të Jashtme të Greqisë në Shkup, si dhe për takimet në Vjenë me ndërmjetësuesin e KB-së Methju Nimic. Kumtesat për takimet njëkohësisht u bënë të ditura edhe nga MPj-ja e Maqedonisë dhe e Greqisë.