Presidenti i sapozgjedhur i Francës Emmanuel Macron i është përgjigjur të gjithë atyre që i përmendin moshën e bashkëshortes së tij, e cila është 24 vjet më e madhe se ai.

Pas shumë reagimeve të njerëzve që kanë thënë se ai nuk mund të jetë i dashuruar me bashkëshorten çerek shekulli më të madhe se vetja, Macron në një intervistë për Le Parisien i ka cilësuar si komente seksuale.

Macron ka thënë se nëse bashkëshortja e tij do të ishte më e re se ai, askush nuk do të pyeste dhe vendoste në diskutim dashurinë.

“Nëse do të isha 20 vjet më i madh se bashkëshortja ime, askush nuk do të mendonte se nuk do të isha një partner i mirë dhe i dashur. Kjo vjen sepse ajo është 20 vjet më e madhe se unë. Thonë se kjo marrëdhënie nuk mund të jetë e qëndrueshme, e mundur”,- tha Macron.

Macron e takoi bashkëshorten e tij Brigitte Trogneux kur ishte 15 vjeç në gjimnaz, dhe dalëngadalë ra në dashuri me të, pasi ajo ishte mësuesja e tij e gjimnazit.

Çifti u martua në vitin 2007, kur ai ishte 30 vjeç dhe ajo 54. Gjatë fushatës për president, zonja Macron e ka mbështetur në çdo moment bashkëshortin e saj duke e shoqëruar në çdo takim të mundshëm.