Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, Artan Grubi ka informuar sot përmes faqes së tij të Facebook-ut për fillimin e Shkollës për liderë të rinj “Peace Forum Dialogue” në Mavrovë, aktiviteti i organizuar nga ana e Ministrisë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive për të shënuar përvjetorin e 21-të të Marrëveshjes së Ohrit.

Grubi ka informuar se pjesëmarrës në këtë projekt janë mbi 60 të rinj dhe të reja që nga ligjerues eminent do të pajisen me njohuri të reja rreth tematikave të Marrëveshjes së Ohrit, Marrëveshjes së Prespës dhe Marrëveshjes së fqinjësisë së mirë, si dhe impaktin që ato kishin në zhvillimin demokratik të vendit dhe proceset e integrimit në strukturat euro-atlantike.

“Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e përvjetorit të 21-të të Marrëveshjes së Ohrit, filloi sot zyrtarisht Shkolla për liderë të rinj “Peace Forum Dialogue” në Mavrovë. Mbi 60 pjesëmarrës të rinj dhe të reja u bënë pjesë e këtij projekti që e iniciuam dhe nga ligjerues eminent do të kenë mundësi të fitojnë njohuri të reja rreth aspektit përmbajtësor të Marrëveshjes së Ohrit, Marrëveshjes së Prespës dhe Marrëveshjes së fqinjësisë së mirë.

Vëmendje më të madhe do t’ju kushtohet tematikave të demokracisë konsensuale, kohezionit social, barazisë, politikave paqësore, parimeve të qeverisjes së mirë dhe impaktit të këtyre dokumenteve mbi integrimin e vendit në NATO dhe fillimin e negociatave me Bashkimin Europian. Ju uroj punë të mbarë dhe çaste të këndshme të gjithë pjesëmarrësve!” – ka shkruar Grubi.