VMRO-DPMNE-ja e Nikolla Gruevskit kërkon zgjedhje të reja që do të mbaheshin bashkë me ato lokalet për “ruajtjen e shtetit unitar”, ndërsa LSDM-ja e Zoran Zaevit e kërkon mandatin për shtetin juridik, duke pohuar se DPMNE-ja vetëm dëshiron t’i ikë përgjegjësisë për krimet e bëra.

“E vetmja mënyrë për t’u forcuar karakteri unitar i shtetit është përmes konceptit të një shoqërie me të drejta të barabarta për të gjithë. Ai koncept tashmë ka fituar. Koncepti i VMRO-DPMNE-së për të futur përçarje humbi më 11 dhjetor! Kërkesa për zgjedhje të reja është vetëm tentim për të vazhduar krizën politike dhe anulimin e dhënies së llogarisë për krimet dhe keqpërdorimet”, thonë nga LSDM-ja.

VMRO-ja në komunikatën me shkrim porosit se “ndjen obligim për ta respektuar vullnetin e shumicës së qytetarëve” të cilët votuan për koalicionin “Për Maqedoni më të Mirë” dhe se “nuk do të lejojë që të merren vendime që janë në kundërshtim me interesat shtetërore dhe kombëtare”.

“Po afrohen zgjedhjet lokale dhe rrugëdalja më e mirë nga kjo krizë është nëse Zaevi merr guximin dhe pajtohet ta parashtrojë platformën para qytetarëve. Me një harxhim ata do të votojnë edhe për pushtetin lokal, por edhe do ta tregojnë mendimin për platformën nga Tirana”, porosit partia e Gruevskit, duke përsëritur se do ta përkrahë Zaevin që “të bëjë qeveri çfarë të dojë” vetëm po hoqi dorë nga platforma e partive shqiptare.

LSDM e akuzoi Gruevskin se vetëm dëshiron ta shpëtojë lëkurën e vet, duke e shtyrë popullin në konflikt. Sipas tyre, as Kushtetuta e as karakteri unitar i shtetit nuk janë të rrezikuar, kurse DPMNE-ja me qëllim përhap të pavërteta dhe nxeh marrëdhëniet ndëretnike dhe qytetare.

“Gruevski dhe udhëheqja e VMRO-DPMNE-së duhet patjetër ta respektojnë vullnetin e shumicës së qytetarëve. Gjorge Ivanoviduhet patjetër ta respektojë vullnetin e shumicës të mishëruar me 67 mandate deputetësh dhe t’ia japë kryetarit të LSDM-së Zoran Zaev mandatin për formimin e Qeverisë së re reformatore dhe institucioneve të pavarura demokratike”, porositi LSDM-ja.