Këto përpara nesh nuk janë zgjedhje lokale. Këto janë zgjedhje jashtëzakonisht të rëndësishme për të ardhmen e Maqedonisë, ka thënë udhëheqësi i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, në tubimin e mbrëmshëm në Shtip.

Ai ftoi qytetarët që më 15 tetor t’i japin fund errësirës që është shkaktuar nga qeveria aktuale dhe të votojnë programin e tyre, i cili është i detajuar dhe precizuar mirë.

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, para qytetarëve të Shtipit tha se periudha e re që do të pasojë do të sjellë: pensione më të mëdha, më shumë subvencione, ulje të papunësisë dhe tatime më të ulëta. Sipas Gruevskit, atë që e premton VMRO-DPMNE çdoherë e ka realizuar.

“Zgjidh epokën e re për komunën tënde. Me stilolaps dhe fletëvotim vendoset fati i vendit tuaj, komunës suaj dhe vendit tuaj, atdheut tuaj. Le të krijojmë të gjithë së bashku historinë e Maqedonisë. Gjenerata e ardhshme e qytetarëve maqedonas nuk duhet të dorëzohet kurrë. Ne shkojmë përpara me krenari dhe dinjitet. Vendimi është i juaji. E ardhmja e Maqedonisë varet nga ju. Jepni fund errësirës dhe të ecim me krenari përpara, për të zhvilluar Maqedoninë, për të modernizuar, për të zbatuar projekte që do të jenë në interesin tuaj, me interes për Maqedoninë. Gjithmonë punë, gjithmonë Maqedoni… Epoka e re do të sjellë 150 mijë vende të reja pune, varfëri më të ulët për ¾ për qind, tatime më të ulëta, dyfish do të kemi ulje të papunësisë tek të rinjtë dhe më shumë mundësi për sigurimin e shtëpisë personale, rritje të rrogave, pensioneve dhe subvencioneve, më tepër investime në ekologji dhe ambient të pastër”,- deklaroi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski.

Kandidati për kryetar komune në Shtip, Illço Zahariev, premtoi se Shtipi do të fitojë aeroport të ri, vende të reja pune dhe zhvillim të fuqishëm ekonomik.

“Do të forcojmë zhvillimin ekonomik lokal. Ne do të kemi punësime të reja, dy zona të reja industriale dhe zgjerim të zonës industriale në tre çezmat dhe zonën e vjetër industriale në Metal Alumina. Ne do të mbështesim komunitetin e biznesit, por ne gjithashtu do të luftojmë për të drejtat e punëtorëve, sidomos punëtorët tanë të zellshëm dhe të dedikuar të tekstilit në qytetin tonë. Projektet tona do të jenë në fushën e infrastrukturës, të përfundojmë ato 10 rrugë që nuk janë përfunduar në qytetin tonë”,- tha kandidati për kryetar në Shtip – VMRO-DPMNE, Illço Zahariev.

Zahariev po ashtu premtoi se do të investohet në tubacionet e reja ujore, ndërsa rrjet kanalizimi do të ndërtohet aty ku është vjetruar.

Kandidati për kryetar në Shën Nikollë, Zoran Tasev, paralajmëroi se në programin e ri është paraparë që të investohet në të gjitha vendbanimet e komunës, rrugët do të rindërtohen, ndërsa do të investohet edhe në sport.

“Fiton populli në shtetin e vet, fitoni ju që dëshironi të shihni projekte, investime të reja, rrugë të reja, sisteme të reja të furnizimit me ujë, kanalizime të reja… Fiton VMRO-DPMNE dhe Koalicioni “Për një Maqedoni të përbashkët”. Ka ardhur koha dhe ka ardhur ora për të dëgjuar zërin e popullit që do të thotë “jo” për tradhtinë e Maqedonisë”,- u shpreh kandidati për kryetar në Shën Nikollë- VMRO-DPMNE, Zoran Tasev.

Kemi realizuar projekte esenciale në Shën Nikollë, tha Tasev, për të shtuar se pikërisht puna e VMRO-DPMNE-së do të jetë shkas që me votën e tyre qytetarët të ndëshkojnë LSDM-në në zgjedhjet lokale.