Nikolla Gruevski në seancën e sotme ku është paraqitur me 4 avokatë, tha se ai ndjehet i pafajshëm dhe nuk ka arsye pse të frikohet. Gruevski mes tjerash tha se kundër tij po bëhet një kurth politik dhe se PSP nuk ka dëshmi kundër tij.

“Dëshmitari i vetëm kundër meje është Zaev, mezi pres të fillojë seanca e gjykimit që opinioni të vërtetohet se jam i pafajshëm. Kisha mundësi të ikë 2 vite pasi që PSP paralajmëroi se do të ngrisin akuzë kundër meje. Unë kam udhëtuar dhe jam kthyer”, tha Gruevski.

Ish kryeministri Nikolla Gruevski tha se është lider i partisë më të madhe maqedonase, dhe se qytetarët e kanë votuar edhe përskaj akuzave të PSP-së ndaj tij.

“Unë po përgatitem të fitoj në zgjedhje, dhe jo të ikë. Ku do të ikja në këtë botë të globalizuar, deri tani nuk kam munguar nga seancat dhe në çdo ftesë të gjyqit po paraqitem”, tha Gruevski i cili konsideron se paraqitja në Gjykatë dhe pasaporta e konfiskuar janë masa vetëm që votuesit e tij të dyshojnë se është fajtor.

Ndërkaq, avokati i PSP-së, Burim Rustemi thotë se masat nuk janë politike por sjellja e Gruevskit.