Grupet parlamentare sot do të mblidhen në takim të rregullt koordinues me kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi, për të përcaktuar intensitetin e punës së ligjvënësit gjatë kësaj jave.

Nuk dihet nëse ende nëse do të caktohet seancë plenare gjatë kësaj jave, edhe pse gjatë dy javëve të fundit nuk është zhvilluar asnjë.

Ndryshe, mbi 35 mijë amendamentet e propozuara nga VMRO-DPMNE-ja për ligjin e gjuhëve, e kanë paralizuar punën e Kuvendit. Edhe vetë kryeparlamentari Xhaferi, të njëjtat i ka cilësuar si bllokadë të Kuvendit të Maqedonisë, ndërkaq nga ana tjetër VMRO-DPMNE thirret në atë se ato kanë për synim të arrijnë barazi sociale dhe janë në pajtueshmëri me vërejtjet e kryetarit të Maqedonisë, Gjorgje Ivanov.

Xhaferi ligjin për përdorimin e gjuhëve disa herë e ka cilësuar si ligj tashmë të miratuar dhe tha se nuk mund të pranohen amendamente shtesë për shkak se kjo do të binte në kundërshtim me vetë Kuvendin i cili paraprakisht e kaloi në leximin e dytë.

Shumica kanë konfirmuar se koordinohen për të gjetur mekanizma për miratimin e serishëm të ligjit pasi opozita ka bërë të qartë se nuk heq dorë nga amendamentet, transmeton Portalb.mk.

Si të zhbllokohet situata?

Sipas ekspertëve, që mos të shkelet rregullorja si dhe nga ana tjetër mos të merret Kuvendi vetëm me një ligj dhe të neglizhojë ligjet tjera, seancat plenare mund të ndahen në dy pjesë. Në një pjesë të diskutohen amendamentet e ligjit dhe gjysmën tjetër të miratohen ligjet tjera duke pasur parasysh se faza e ardhshme gjashtëmujore është e rëndësishëm për Maqedoninë dhe priten të miratohen ligje të rëndësishme që përcaktojnë edhe fatin evro-atlantik të Maqedonisë.

Kryeparlamentari i Maqedonisë, Talat Xhaferi tha se nëse VMRO-DPMNE-ja nuk heq dorë nga amendamentet, kurse nuk shpreh vullnet as për konsensus politik, do të ndërmarrë hap tjetër duke mos specifikuar se për çfarë bëhet fjalë. Sipas ish kryeparlamentarit të Maqedonisë, Stojan Andov, Xhaferi mund ta shkelë rregulloren e Kuvendit.

“Hapi që duhet të merret nga Talat Xhaferi është jashtë çdo procedure kuvendare siç janë edhe 35 mijë amendamentet e VMRO-DPMNE-së që janë jashtë çdo procedure”, tha Andov.