Pritja në radhë është e padurueshme për këta pacientë, të cilët thonë se është bërë rrëmujë në ambulancën e fshatit Haraçinë. Nga mungesa e mjekut internist në këtë ambulancën, atyre iu duhet të shkojnë në Shkup për një ekzaminim më të specializuar, madje as terapinë e barnave nuk mund ta marrin në fshat pa vulën e internistit.

Nga mjekja Ajsere Asani, mësuam që vetëm për analizat elementare ose për recetat e specialistit, pacientët e fshatit duhet të presin me muaj për termin të lirë në Ambulancën e Bit pazarit. Ajo thotë se kuadro ka dhe hapësirat janë të pa shfrytëzuara, në të cilat mund të hapet ordinanca dhe laboratori.

“Gati dy vjet jam internistë, por kemi pengesë kinse për shkak të hapësirës nga Shtëpia e shëndetit të Bit pazarit. Sidomos, unë mendoj se është problemi tek drejtori Besim Koka, i cili nuk ma mundëson hapësirën, që prej 2001-it është e zbrazët. Këtu ka qenë e nevojshme të ketë gjinekolog, por ja që edhe un jam e specializuar si internistë, ku është më se e nevojshme të ketë. Por, këto hapësira që janë të zbrazëta, nuk na mundësojnë t’i shfrytëzojmë në mënyrë korrekte”, u shpreh Ajsere Asani-Rushiti, Mjeke në Ambulancën e Haraçinës.

Nga Shtëpisë së shëndetit të Shkupit, nën kompetencat e së cilës është edhe Ambulanca e Haraçinës, thonë se janë kushtet për hapjen e ordinancës, por nuk ka internist. Drejtori Besim Koka thotë se ky problem nuk është vetëm për banorët e Haraçinës, duke iu rikujtuar atyre se Hasanbegu e kanë në prag të derës, ku mund të marrin të gjitha trajtimet mjekësore, specialistike.

“Mjekës Ajsere, unë i kam ofruar ta punësojmë në Shtëpinë e shëndetit dhe pastaj t’i japim një ordinancë në Haraçinë. Ajo nuk ka pranuar sepse ka dashur ta merr me koncesion privat e të hap ordinancë internistë, gjë e cila nuk është e lejuar me ligj. Shtëpia e shëndetit, përveç mjekëve amë, nuk ka të drejtë t’i jep me koncesion specialistëve privat”, u shpreh Besim Koka, Drejtori i Shtëpisë së shëndetit të Shkupit.

Në katër vjetët e fundit, sipas drejtorit Koka mbi 30 specialistë nga sektori privat janë kthyer në sektorin publik, ose në Shtëpinë e shëndetit të Shkupit. Por, në godinën e Ambulancës së Haraçinës, vetëm sektori i preventivës është publik, ndërsa tri ordinancat tjera janë private të dhëna me koncesion. Në njërën prej tyre, si mjeke e përgjithshme punon në ordinancën private edhe Ajsere Asani.