Akuzat nga Maqedonia në adresë të Ramush Haradinajt lidhur me ngjarjet e Kumanovës, janë pësëritur edhe njëherë, por tani në nivel më të lartë. Përmes emisionit “Në Qendër” të gazetarit Vasko Eftov, emrin e Haradinajt lidhur me ngjarjet e Kumanovës e ka përmendur edhe ministri, Mitko Çavkov, i cili para disa javëve u rikthye në postin ministror në MPB, me votat e VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së. “Ramush Haradinaj dhe strukturat e afërta të tij”, ka deklaruar shkurt, ministri i policisë, Mitko Çavkov, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarit se kush qëndron pas ngjarjeve të Kumanovës, transmetoi “Zhurnal”.

Mirëpo, në një intervistë ekskluzive që para dy javëve realizoi gazeta “Lajm”, me kryetarin e AAK-së Ramush Haradinaj, ai mes tjerash, shumë qartë sqaroi se kush qëndron pas të gjitha akuzave dhe spekulimeve që i bëhen atij për zhvillimet në Maqedoni, duke mos hezituar të thotë se pas këtyre akuzave qëndron “pushteti i kriminalizuar në Shkup”.
“Ne bashkëndjejmë me shqiptarët e Maqedonisë, me bashkëkombësit tanë dhe ky interesim për gjendjen atje është legjitim. Ne nuk kemi qenë të përfshirë as në të kaluarën, as tani e as në të ardhmen, në çfarëdo veprimtarie luftarake. Tashmë po shihet se problemi nuk është te involvimet as nga Kosova as nga dikush tjetër, por është mënyra e qeverisjes së vendit. Unë mendoj se pushteti në Shkup i korruptuar dhe i kriminalizuar, kërkon fajtorë, ose kërkon arsye se pse e ka një gjendje të keqe në vend. Unë mendoj se gjendja buron pikërisht te mënyra e qeverisjes në vend, pra te pushteti i korruptuar dhe i kriminalizuar, i cili poashtu i ka diskriminuar shqiptarët”, pat deklaruar Haradinaj.