Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se Kosova është në rrugë të mirë të mposhtjes së pandemisë.

Haradinaj në një postim në Facebook shkruan se javëve të fundit, ndërgjegjësimi i qytetarëve po jep rezultate të mrekullueshme.

Lexoni të plotë postimin:

“Kosova është në rrugë të mirë të mposhtjes së pandemisë. Javëve të fundit, ndërgjegjësimi i qytetarëve po jep rezultate të mrekullueshme.

Edhe më tutje mbes me qëndrimin se kufizimi i lirisë së lëvizjes dhe bizneseve është i panevojshëm. Sëmundja do mposhtet me kulturën tonë për të jetuar me të, duke bërë kujdes e duke ruajtur shëndetin tonë dhe të tjerëve.

Pres që Kuvendi i Kosovës të miratojë pakon e rimëkëmbjes ekonomike dhe uljen e tatimeve për bizneset, e masa të tjera të nevojshme.

Unë besoj që vendi ynë do të rimëkëmbet. Me politika të drejta, mobilizimin tonë, bizneseve, diasporës dhe përkrahjen e aleatëve.

Zoti e bekoftë Kosovën dhe popullin e saj”, shkruan Haradinaj.

Ndryshe, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik bën të ditur se numri total i rasteve pozitive është 11.275 raste nga 43.544 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 390 raste të vdekjes.

IKSHPK njofton se numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 6,961 raste, kurse numri i rasteve aktive është 3,924.