Deputetja e zgjedhur e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu ka zgjedhur fjalë të rënda për kolegen e saj nga PDK-ja, Blerta Deliu-Kodrën.

“Blerta Deliu, një shërbëtore që me zell i shërben klanit Pronto! Çdo ditë e imja dhe aktivisteve të VETËVENDOSJE-s, do të jetë angazhim për mbrojtjen e Republikes nga soji yt dhe krimineleve që ti ju shërben”, ka thënë Haxhiu përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook, njofton Klan Kosova.

Ky reagim i Haxhiut vjen pasi ishte deputetja Deliu ajo që ka publikuar një mesazh që siç thotë ajo, ia ka dërguar bashkëshorti i deputetes Haxhiu duke e kanosur.

“Kanosja e tij ka të bëjë edhe me mentalitetin diktatorial të subjektit politik të tij. Ia bëj me dije këtij kërcënuesi dhe shpifësi se unë, do t’i bëj kallëzim penal për kanosje dhe padi për shpifje, sepse unë dhe kolegët e mi, tërë jetën kemi punuar dhe vazhdojmë të punojmë për të mirën e vendit tonë dhe qytetarëve tanë. Ndërkaq, Alban Krasniqi së bashku me bashkëshorten do të përballen me sistemin e drejtësisë së Republikës së Kosovës për kanosje dhe shpifje”, ka thënë Deliu.