Tifozët Kuq e Zi i kanë dal në mbështetje Ismail Morinës – Ballistit.

Ata kanë paralajmëruar protestë para Kryeministrisë, sot nga ora 19:00, për të ndaluar ekstradimin nga Kroacia në Serbi.

“Të gjithë u ndjemë krenar mbrëmjen e 14 Tetorit kur mbi qiellin e Beogradit u ngritën heronjtë tanë mbi një dron. Të gjithë iu gëzuam tre pikëve të Beogradit. Këto ndjenja na i dhuroj Ismail Ballist Morina por ai prej asaj dite edhe pse një hero për shqiptarët vetëm është endur burgjeve dhe gjykatave”, thuhet në reagimin e Tifozëve Kuq e Zi.

“Më e fundit është se Kroacia ka pranuar ekstradimin e tij drejt Serbisë. Nesër duhet të bashkohemi në një protest masive përballë kryeministrisë për të kundërshtuar këtë vendim dhe për të nxitur kryeministrin të reagoj për Ballistin. Duhet të tregojmë se jemi bashkë, të tregojmë se jemi shumë, të tregojmë se jemi me Ballistin, të tregojmë se ne do e bëjmë luftën tonë për ta mbrojtur dhe lartësuar Ballistin”, vazhdon njoftimi.

Pas lajmeve për ekstradimin në Serbi, Morinës i ka dal në krah edhe Federata Shqiptare e Futbollit

“FSHF reagon publikisht dhe i bën thirrje të hapur autoriteteve përkatëse dhe institucioneve që të ndërhyjnë brenda kornizës ligjore për të ndaluar ekstradimin e Ismail Morinës në Serbi”, thuhet në njoftimin e FSHF-së.

“Menjëherë pas publikimit në media të lajmit për vendimmarrjen e Gjykatës së Dubrovnikut në Kroaci për Ismail Morinën, i ndaluar ditë më parë, FSHF ka nisur menjëherë edhe interesimin e saj të drejtpërdrejtë për ti dhënë një zgjidhje sa më të shpejtë këtij problemi shumë të ndjeshëm për tifozët dhe shqiptarët kudo qe ndodhen”, vazhdon njoftimi i FSHF-së.

Nga informacionet e fundit Morina ka dalë tri ditë më parë në Gjykatën e Shkallës së Parë të Dubrovnikut, ku togat e zeza kanë vendosur ekstradimin në Serbi, pasi prej afro dy vitesh në emër të këtij shtetasi ka një urdhër ekstradimi lidhur mbi ngjarjen e ndeshjes Serbi-Shqipëri ku ngritja e një droni me një baner  me mbishkrimin “Autochtonus” solli trazira në stadium dhe më pas ndërprerjen e ndeshjes.