Hekurudha drejtë Greqisë, ndërtimi i së cilës është ndërprerë tash disa muaj, do të vazhdojë të ndërtohet pasi në tender të zgjidhet realizuesi i ri. Pushteti pranoi se e ka ndërprerë kontratën me konzorciumin e zgjedhur paraprak të kompanive bullgare për shkak të mosrespektimit të kontratës. Paralajmërohet aktivizimi i garancisë bankare.

“Kompania që kishte kontratë, në pajtim me kohëzgjatjen e kontratës, nuk i përmbushi plotësisht të gjitha kërkesat për çka është aplikuar në këtë projekt. Kjo do të thotë se Qeveria patjetër të ndërmarrë masa për ta mbrojtur interesin e shtetit, prandaj është shkëputur kontrata. Tani procedura është në kontratë të ndërprerë, ndërsa nga ana tjetër gjithë ajo që janë si kritere patjetër të ndërmerren, siç është pagesa nga garancia bankare, siç qëndron në ligjet e Maqedonisë”, deklaroi Vladimir Misajllovski, Ministër i Transportit dhe Lidhjeve.

Një pjesë e kompanive vendore që punuan si nën-realizues, u ankuan se realizuesi, gjegjësisht konzorciumi që ishte zgjedhur në tender, me muaj të tërë nuk i ka paguar për punën e bërë. Ministri Misajllovski i porositi se për këtë shteti nuk ka kurrfarë përgjegjësie sepse bëhet fjalë për kontrata interne me atë që i ka angazhuar.

“U sqarova edhe kompanive që janë të prekura me këtë dhe që kanë kontrata me realizuesin kryesor se është çështje e tyre ajo që kanë nënshkruar kontratë mes vete, e që nuk është lejuar nga ministria e transportit dhe lidhjeve dhe në pajtim me kontratën ata duhet t’i kërkojnë të drejtat e tyre”, deklaroi Misajllovski.

Për hekurudhën deri në Greqi përmes fondeve IPA ishin siguruar 20 milionë euro. Nuk ka informata sa para janë shpenzuar deri më tani. Hekurudha duhej të ishte gati deri në korrikun e këtij viti, por pas një viti e gjysmë punë, ndërtimi i linjës ende është në fazën e saj fillestare. Tani qeveria pret direktiva nga BE-ja për shpalljen e tenderit të ri, që me siguri do të ndodhë pas zgjedhjeve, njofton Alsat-M.