Intensifikimin dramatik të hetimit mbi ndërhyrjen ruse në zgjedhjet amerikane, Donald Trump e ndoqi me një zemërim të atillë që detyroi ndihmësit e tij ta këshillonin të mos i vërsulet prokurorit të posaçëm Robert Mueller.

Një anëtar i partisë së tij republikane, person me lidhje të ngushta në shtëpinë e bardhë i tha CNN se ndërsa shikonte në ekranet gjigande të rezidences së tij private sesi zhvilloheshin ngjarjet orë pas ore, presidenti praktikisht “po shkumëzonte nga inati”.

Duke parandjerë rrezikun, demokratët gjithashtu bënë thirrje që Mullerit t’i lejohet pa ndërhyrje vazhdimi i hetimit në vazhdën e të cilit ish drejtuesi i fushatës së tij zgjedhore, Paul Manafort, dhe partneri i tij i biznesit Rick Gates u akuzuan për komplot për të mashtruar SHBA-në në marrëveshjet e tyre me Ukrainën.

“Sundimi i ligjit është i rëndësishëm në Amerikë dhe hetimet duhet të lejohen të vazhdojnë pa pengesa. Presidenti nuk duhet, në asnje rrethanë, të ndërhyjë në punën e prokurorit të posaçëm”, tha udhëheqësi demokrat i Senatit, Chuck Schumer.

Senatorja demokrate në Komitetin e gjyqësorit, Dianne Feinstein, e beri të qartë se çdo veprim i Trumpit për të shkarkuar Muellerin do të shkaktonte “shpërthim të fuqishëm”.

Shefi i Shtëpisë së bardhe i cilëson hetimet e Muellerit një “gjueti shtrigash” e vazhdon t’i kundërshtojë akuzat. Nuk ka pasur bashkëpunim të fshehtë/të paligjshëm!” shkroi ai në Twitter duke iu referuar aferës ruse. Po të hënën, u njoftua se edhe ish këshilltari i tij George Papadopoulos e ka pranuar fajësinë lidhur me akuzat se u kishte dhënë agjentëve federalë informata të rreme.

Ai rrefeu se ishte në dijeni të kontakteve të shumta që kishte një profesore jashtë SHBA me zyrtarë rusë, dhe se ajo dinte “të palara” lidhur me rivalen e Trump, Hillary Clinton dhe për kontakte me një “grua ruse” që mendohet se ishte mbesa e Presidentit Vladimir Putin, transmeton tch.

New York Times shpjegon sakaq se dhe dorëheqja e Tony Podestes, i cili ka lobuar në SHBA edhe për përmirësimin e imazhit të qeverisë Berisha deri në 2013-tën, erdhi pasi ai përfundoi në lupën e Muellerit. Firma e vet Podesta grup, e cila ka humbur klientë që prej nisjes së hetimeve të prokurorit special, figuronte edhe pse jo me emër, në aktakuzën e ngritur ndaj Manafort dhe Rick Gates.