Pak javë më parë, ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri u përfshi në një skandal përgjimesh të një rrjeti trafikantësh droge, ç’ka bëri që të niste dhe një hetim për të pasi dyshohet ët jetë i implikuar në veprimtari kriminale.

Çështja prej disa kohësh nuk ka bërë më zhurmë mediatike, deri më sot, kur Gjykata e Krimeve të Rënda dha një vendim të papritur në kuadër të hetimeve.  Trupi gjykues ka pranuar kërkesën e prokurorisë duke dhënë masën e sigurisë “ndalim i daljes jashtë shtetit” për ish-ministrin Tahiri, të cilit tashmë i është bllokuar edhe pasaporta.

Kjo masë vjen vetëm pak javë pas largimit të papritur të Saimir Tahirit në Gjermani për një periudhë tre ditore, që nxiti spekulime dhe debate të shumta në lidhje me arsyen e udhëtimit. Fillimisht burime pranë Tahirit bënë të ditur se ai udhëtoi drejt Gjermanisë për shkak të problemeve shëndetësore të babait të tij, por vetëm më vonë u verifikua se i ati i ish-ministrit, asokohe ishte kthyer nga Gjermania.

Lidhur me këtë çështje reagoi ish-kryemnistri Sali Berisha, i cili nëpërmjet një postimi në Facebook, la të kuptohej se Tahiri në Gjermani u takua me avokatin e Habilajve, kushërinjve të tij të përfshirë në rrjetin e  trafikut të drogës. Burimi: Panorama