Miratimi i  Ligjit për gjuhën shqipe nga ana e qeverisë në Maqedoni, ka nxitur reagimin edhe të përfaqësuesve të Lëvizjes BESA.

Njëri ndër eksponentët kryesorë  të Lëvizjes Besa, i njohur si Hoxha i Besës, Adnan Azizi nëpërmjet një statusi në fejsbuk  ka adresuar kritika  ndaj ligjit të ri për përdorimin e gjuhëve  që ditë më parë kaloi në qeveri. Sipas Azizit  ky ligj është dëshmi se LSDM së bashku me koalicionin qeveritar, shqiptarët nuk i shohin si shtetformues por si “përkatësi etnike mbi 20%”. Ai vlerëson se gjuha shqipe duhet të jetë zyrtare në tërë territorin e shtetit dhe jo vetëm nivel lokal.

“Shqiptarët në Maqedoni janë komb shtetformues dhe jo “përkatësi tjetër etnike mbi 20%”.

Të gjitha arsyetimet janë të papranueshme. Pse çdoherë kompromisi bëhet në kurriz të shqiptarëve?

Shqiptarët në plan afatgjatë rrezikojnë shumëçka nëse vazhdojnë të bëjnë kompromise të dëmshme. Personalisht mendoj se çdo ndarje e shqiptarëve, qoftë edhe administrative është e pakuptimtë dhe e rrezikshme.

Gjuha shqipe duhet të jetë zyrtare në të gjithë territorin e Republikës së Maqedonisë e barabartë me gjuhën maqedone dhe mos respektimi i saj duhet të sanksionohet me ligj. Çdo gjë tjetër jashtë kësaj është politikë ditore, kampanjë parazgjedhore dhe propagandë qeveritare”, ka shkruar në rrjetin social facebook, Adnan Azizi.