Nga dita e martë pritet që Lëvizja Besa të intensifikojë bisedimet me kryeministrin Zoran Zaev për përfshirjen eventuale të kësaj partie në koalicionin Qeveritar.
Ditët në vazhdim nuk përjashtohen mundësia që këto bisedime të kenë edhe epilog dhe të dilet në opinion me një vendim përfundimtar nëse partia e Afrim Gashit do të jetë ose jo pjesë e Qeverisë.
Këto deklarata vijnë nga të dyja anët. Pas takimit zyrtar që kryeministri Zaev zhvilloi me Gashin kohë më parë, deputeti Rexhep Memedi, konfirmoi se mes kryetarit të partisë së tij dhe kreut të Qeverisë ka pasur edhe komunikim të vazhdueshëm për këtë temë. Në intensifikimin e bisedimeve, thonë se ka mundësi për zhvillimin edhe të një takimi mes liderëve të dy partive, Afrim Gashit të Lëvizjes Besa dhe kryeministrit dhe kryetarit të LSDM-së, Zoran Zaev.
“Kemi pasur komunikim, konkretisht kryetari Afrim Gashi ka pas disa kontakte me kryeministrin përkitazi me këtë temë. Por, pritet që ditëve në vazhdim të kemi biseda më konkrete lidhur me kyçjen eventuale të Lëvizjes Besa në Qeveri”, ka thënë Rexhep Memedi, deputet i Lëvizjes Besa.