Në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, ende nuk ka përfunduar gjykimi i Oliver Ivanoviqit dhe katër serbëve tjerë, të cilët akuzohen për krime të rënda të kryera në Mitrovicë në vitet 1999 dhe 2000.

Në bazë të dëshmive që KMLDNJ në Mitrovicë i posedon nga dëshmitarët për masakrën e 14 prillit të vitit 1999, kryetari i Qendrës Rajonale të KMDLNJ-së në Mitrovicë, Halit Barani, kishte bërë kallëzimin penal në gjyq.

Sipas tij, i pari që ka dhënë deklaratë pas lufte në KMLDNJ ishte Isa Mustafa. Dëshmia e tij flet për masakrën e 14 prillit 1999 në lagjen “Qendra1” dhe “Bair”ku janë vrarë 31 shqiptarë. Ky rast shpjegohet edhe në librin e Nikolla Paçarizit, ku thotë se në mëngjesin e 15 prillit, drejtori i atëhershëm i shkollës fillore “Meto Bajraktari”, duke shkuar për në shkollë “kishte ecur mbi trupa të vdekur e të larë me gjak”.

“Isa Mustafa vet i katërti ka qenë duke pritur te shtëpia e Haki Kurshumliut në lagjen ‘Bair’, për tu pushkatuar.Aty ka shkuar Oliver Ivanoviqi, i armatosur gjerë në dhëmbë, i cili ka pyetur se pse po priste aty? Ai i ka thënë se nuk e din, se këtu i kishin thënë të priste.Oliveri thotë që të ecnin për në Shqipëri”, thotë Barani duke u bazuar në deklaratën e Isa Mustafës.

Mustafa e njihte Oliverin, sepse ka ushtruar karate në Pallatin e Sporteve “Trepça” në Mitrovicë, ndërsa Oliveri ishte mjeshtër i karatesë. Ai ia kishte parë fytyrën Ivanoviqit, në uniformën e Policisë serbe, mesditën e 14 prillit 1999.

“Shef, çka po bëjmë me ta”, ka thënë Mustafa se e kishte pyetur një serb Ivanoviqin.

“Zbatoji urdhrat që kemi marrë”, i ishte përgjigjur ai.

Lideri i Iniciativës Qytetare SDP, Oliver Ivanoviq, më 21 janar është përballur në gjyq me Mustafën, i cili e ka akuzuar atë se në vitin 1999 ka qenë udhëheqës i njësitit paramilitar serb.

“Në lagjen ‘Bair’ dhe ‘Qendra 1’ janë pushkatuar 31 shqiptarë. Këtë e them me përgjegjësi të plot, sepse kur është bërë zhvarrosja e trupave të pajetë të asaj dite, në qershor dhe në korrik të vitit 1999, në mes dy fushave Suhodoll dhe Vidimriq kanë qenë 31 varreza. Të gjitha kanë qenë me numra e jo me emra. Aty s’më kanë lejuar të incizojë e as të fotografojë”, ka thënë Barani për Telegrafin.

Atëherë, për tri ditë radhazi është bërë zhvarrimi i trupave. Pesë trupa një kohë të gjatë nuk kanë qenë të identifikuara. 26 janë identifikuar.

KMLDNJ ka deklarata edhe për raste tjera ku përmendet emri i Ivanoviqit, si për rastin e 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000.

“Në natën e 3 dhe 4 shkurtit 2000, prej orës 21:00 e deri në orën 3:30 të mëngjesit, janë pushkatuar 10 shqiptarë brenda nëpër shtëpi; janë plagosur me armë zjarri 25 të tjerë; janë keqtrajtuar rëndë fizikisht 93 shqiptarë;ndërsa janë dëbuar 1200 e më tepër familje nga kriminelët serb, të prirë nga kryekrimineli Oliver Ivanoviq në bashkëpunim me Dragan Delibashiqin dhe bashkëpunëtorë të tij,cilët akuzohen sot”, ka deklaruar Barani.

Në fletarrestimin ndaj politikanit serb, Oliver Ivanoviq, përshkruhen urdhrat që ka dhënë ai për vrasjen e nëntë shqiptarëve në prill 1999, si komandant i MUP-it serb në veri. Aty përshkruhen edhe urdhrat dhe pjesëmarrja në vrasjet e shqiptarëve të veriut në shkurt 2000, këtë herë në rolin e udhëheqësit të grupit paramilitar “Rojat e Urës”.

“Më 14 prill 1999, rreth orës 12:00, në rrugën ‘Miladin Popoviq’, tani “Ahmet Selaci”, dhe në rrugën për në ‘Bajr’, në kundërshtim me Konventën e Gjenevës, duke vepruar si Komandant i Stacionit në Mitrovicë në kuadër të MPB të Republikës Federale të Jugosllavisë, urdhëroi një grup të caktuar të policëve që të bëjnë krime lufte kundër personave që nuk ishin direkt të përfshirë në luftime dhe me këtë urdhëroi që të kryejnë vrasjen e viktimave të nacionalitetit shqiptar, e që janë: Fatmir Mustafa, Skender Paqarada, Avni Abazi, Mehmet Sefari, Isa Mustafa, Xhemshit Smajli, Behxhet Ferizi, Mentor Mehana dhe Shefki Kosumi”, thuhet në akuzë.

Flora Peci ka dëshmuar në rastin kundër Oliver Ivanoviqit dhe të tjerëve, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, më 24 shkurt të këtij viti.

Në mëngjesin e datës 14 prill, fqinji i Florës, serbi Miodrag Ristiq, erdhi në derë dhe ju tha të mos dilnin fare nga shtëpitë, se kishte kontroll nga Policia serbe. Ai ua bleu gjërat elementare, ndërsa shqiptarët besonin në ndihmën dhe në mbrojtjen e tij.

“Rreth orës 11 u dëgjuan rrapëllimat e tmerrshme në dyert e metalta të ndërtesës. Ne, dy palë banorë që ishim në katin tonë, dolëm në korridor.Në atë moment erdhi fqinji ynë, rom i katit të pestë, i veshur në rroba paramilitari. Ishte Boban Kërstiq. Ai na tha që t’i lëmë dyert e hapura, në mënyrë që të mos i thyejnë njësia speciale e Çaçakut(kështu u shkruante në uniformë)”, rrëfen Flora.

Sipas Florës, njësisë speciale i printe fqinji i saj, Miodrag Ristiq. Ata u thanë shqiptarëve t’i marrin gjërat elementare për rrugëtim dhe t’i lëshojnë shtëpitë, pa treguar se ku po i dërgojnë.

“Zbritëm poshtë. Aty në hyrje ishte një paramilitar me një armë të madhe në dorë, mitraloz mendoj. Nisi me zë të lartë të na bërtasë që të shpejtojmë”.

Flora rrëfen momentin kur i ndanë meshkujt e banesës, ndër ta edhe vëllain e saj Afrimin.

“Filluan t’i ndanin meshkujt dhe t’i shtrijnë për toke në anën e kundërt të rrugës. Në fillim mendova se janë thasë e jo djem të shtrirë. Djali i xhaxhait tim u përpoq të fshihej mes nesh, por një nga paramilitarët e maskuar i ra me tytë pushke në shpinë. ‘Nisu,djali im’, ishin fjalët e babait tim të ndjerë. Vëllain ma morën duke ia larguar të bijën dymuajshe nga dora. Vëllai ngriti kokën ashtu i shtrirë, mbase për herë të fundit na përshëndeti me një buzëqeshje mallëngjyese”.

Flora rrëfen për fqinjën e saj, Shahbaze Cernobregu, e cila me ton lutës i ka thënë në gjuhën serbe Oliver Ivanovicit: ”Shpëtoma djalin”.

Sipas Florës, fqinjit tjetër, Shefqet Pllana, një paramilitar i tha se vetëm do t’i legjitimojnë meshkujt dhe se asnjë qime floku nuk do t’ju mungojë. Ajo thotë se ju besuan, por kjo ishte gënjeshtër.

“Sa bëmë pesë minuta rrugë, u dëgjuan krismat. Babai im na tha se janë krisma në ajër”, thotë ajo. Ata vazhduan, pa e ditur se për ku janë nisur.

Atë natë familjete kaluan në lagjen “Bair”.

Të nesërmen, herët në mëngjes, hasën në disa ushtarakë serbë të cilët u thanë se janë në zonë të rrezikshme dhe se duhet të marrin rrugën për në Shqipëri.

“U nisëm për të ndenjur nja dy orë në fshatin Zhabar, në një familje shqiptare. Por, edhe aty arritën forcat serbe dhe na dëbuan”, rrëfen Flora.

Ajo tha se nata i zuri në rrugë, pa ngrënë fare.

“E pyeta fqinjën time, Shahbaze, se përse e luti ashtu Oliverin, e ajo më tha: ‘Oliver Ivanoviqi ka autoritet, është rritur me shqiptarë dhe mbase do t’i shpëtojë djemtë’. Në realitet nuk e dinim se ai ishte organizator i të gjithave. Këtë e kuptuam më vonë”.

 

Tmerret dhe ecejaket e Florës nuk kanë të ndalur. Ajo me shumë të dëbuar tjerë arrijnë deri në Pejë, ndërsa detyrohen të kthehen sërish në Mitrovicë. Nga çdo strehim që gjen, dëbohen. Ndërsa, bëhet dëshmitare e ndarjes së burrave tjerë, disa nga të cilët dërgohen në burgun e Vushtrrisë. Tmerret vazhdojnë deri më 8 qershor, kur drejtohen për në fshatin Zhabar.

“Donin të na çonin deri te xhamia e atij fshati. Të lodhur, nuk mundëm të vazhdonim tutje. Edhe aty pati bombardime të NATO-s. Besoj se dikush i kishte lajmëruar për këtë ngjarje”.

Edhe aty paramilitarët filluan t’i ndanin meshkujt.

“I dërguan në burgun e Smrekovnicës, por i lëshuan meqë u nënshkrua Marrëveshja e Kumanovës më 10 qershor. Ata kishin mbetur në fshatin Kçiq, për t’u kthyer më vonë nëpër vendbanimet e tyre”, shpjegon tutje Flora.

Më 12 qershor ajo dëgjon se ishin vrarë edhe disa shqiptarë në këtëlagje. Gjatë kthimit në banesë, fqinji Miodrag Ristiq thotë se djemtë i kanë dërguar diku. Flora thotë se e mbante shpresa se djemtë janë gjallë, se do të kthehen.

“Menjëherë filloi xhandarmëria franceze të vijë dhe të na intervistojë për rastin e djemve.Ne merrnim informata se ata janë të gjallë nëpër burgjet e Serbisë. kjo shpresë na mbante”, përfundon rrëfimi prekës i Flora Pecit.

Por, tmerri i shqiptarëve në veri të Mitrovicës nuk ndalon. Në natën mes të datës 3 dhe 4 shkurt të vitit 2000, në veriun e Mitrovicës u ekzekutuan dhjetë qytetarë shqiptarë, në mesin e të cilëve kishte fëmijë, gra dhe pleq.

Atë natë u vranë: Nderim Ajeti, Nerimane Xhaka, Remzije Canhasi, Selime Berisha, Nezir Voca, Shqipe Voca, Bashkim Rrukeci, Nimon Sejdiu, Sebiha Abrashi dhe Muharrem Sokoli.

Po atë natë u plagosen rëndë 25 shqiptarë, kurse u keqtrajtuan rëndë fizikisht 93 të tjerë. Në të njëjtën kohë filluan përndjekjet e shqiptarëve nga banesat dhe shtëpitë e tyre, me qëllim të spastrimit etnik të kësaj pjesë të qytetit.

Vetëm natën në mes të datës 3 dhe 4 shkurt, nga veriu i Mitrovicës me dhunë u dëbuan rreth 100 familje shqiptare. Përndjekja e shqiptarëve vazhdoi edhe në ditët në vijim, kështu që gjatë muajit shkurt të vitit 2000 nga veriu i Mitrovicës u dëbuan me dhunë mbi 1.500 familje shqiptare.

Sipas Baranit, prej shkurtit e deri në korrik të vitit 2000, janë dëbuar me dhunë nga shtëpitë e tyre në veri mbi 11 mijë shqiptarë.

Barani të gjitha deklaratat e dëshmitarëve për rastin e 14 prillit 1999 dhe rastin e 4 shkurtit 2000 i ka deponuar me 25 shkurt 2013 në Prokurorinë e EULEX-it.

Telegrafi më poshtë ju sjellë dëshmitë e të mbijetuarve të masakrës së 3 dhe 4 shkurtit 2000 të siguruara nga Qendra Rajonale e KMDLNJ-së në Mitrovicë.
Hava Sejdiu: “Ishte ditë e enjte, ora 10 e mbrëmjes. Thirra shoqet për të ndenjur, por më shumë për t’u nxehur. Nga ora 22:00 ka krisur një bombë dhe të njëjtën kohë dhe një sirene e kerrit. Serbët e kanë gjuajtur bombën nga dritarja e banesës. Përnjëherë u mbush rruga me paramilitarë serbë. S’kishe ku e vendosje këmbën. Përderisa dy fqinjet e mia shkuan nëpër shtëpitë e tyre, njëra mbeti tek unë. Thash të dal të shoh se ç’po ngjet. Dritaren e kam hap. I dëgjova paramilitarët duke thënë: ‘Shkojmë, shkojmë, se në katin e parë është dera afër Gjokës, atje është një shqiptar’.

Në pamundësi për t’i treguar shokut, ata menjëherë erdhën tek ne. Sa arrita tek dera e hyrjes, i vendosa duart në derë (mendja ime që mund ta mbaj derën). I mëshuan derës tri herë me shqelma. Afër 200 veta kishin mësyrë. Shoku doli, fëmijët mbeten brenda. Menjëherë më kanë kapë për flokësh dhe ma ngritën kokën lart.

Më pyetën ‘çka je’, ju thash se shqiptare. E njoha personin, por emri s’më kujtohet. Menjëherë më gjuajti boks dhe u alivanosa. Shoku, kur më ka pa mua në duar të çetnikëve, i ka rënë njërit. Pastaj e kanë kapur shokun dhe e kanë maltretuar në mënyrën më mizore.

Kur më ka ardhur pak vetëdija, kam shkuar pas bashkëshortit të shikoj çka ka. Aty ishin afër 30 ose 40 veta që thanë: ‘Hajde bezhimo, ovaj je gotov’ (Ikim, se ky mbaroi). Këtë fjalë e kam dëgjuar. Shoku duart i kishte pasur lartë, trupin e kishte të lëshuar poshtë.

Nga serbët fëmijët i kanë marrë disa boksa. Për fat, fëmijët u përzien me serbët dhe kanë ikur zbathur nga Lagja e Boshnjakëve. Mbas dy orëve shokun s’e di kush e ka sjell apo ka ardhur vet, se unë ika tek fqinja përball. Kam përcjell për spiun të derës dhe pashë Nimonin. Mirëpo, kur e ktheva, Nimonin nga vetja nuk kam mundur ta njoh në çfarë gjendje e kishin sjell. E kam tërhequr me shoqen dhe e kemi futur brenda. Prej orës 22:00 deri në orën 4:00 të mëngjesit nuk kam marr asnjë ndihmë, pos disa qytetarëve që janë interesuar përmes telefonit.

Në orën 4:00 të mëngjesit ka ardhur një njësit i madh i KFOR-it, diku 56 tanke e 20 makina policie të UNMIK-ut. Menjëherë e kanë dërguar në spitalin e Prishtinës e mua në Spitalin e marokenëve. Nimoni nuk i mbijetoi torturave”.

Shaip Canhasi: “Në orën 9:20 isha me bashkëshorten ne banesën tonë të dhënë me qera një polici të UNMIK-ut nga Jordania, i cili ishte bashkë me ne. Serbët e thyen derën dhe filluan rafal të na gjuajnë. Bashkëshorten time e kapi plumbi. Mua më kapi ky polici, ma vuri dorën me ra. E kapëm bashkëshorten, e qitën në krevat dhe vdiq.

Një serb prej tyre e njoha që ka qenë militar. Karshi banesës e kam po emrin nuk ia di. Banesa ne të cilin ai jeton e ka të uzurpuar. Numri i asaj banese është S5 nr. 1/1. Vetëm një hyri, d.m.th. ai që e kam karshi. Kufoma ka mbetur 24 orë ashtu, derisa erdhën KFOR-i. Ata e kanë çuar për në Prishtinë. Mezi e kam varros”.

FeridZahiti: “Meqenëse isha duke e kaluar rrugën te Mentor Jashari, papritmas më kanë ra mbrapa me mjete të ftohta. Më ka rënë ne kokë rënd gjashtë veta. Pasi i kanë kryer procedurat të cilat kanë zgjatur diku 15 minuta, i përgjakur e pa intervenuar askush, kam hyr në kerr të Policisë. Pasi hyra, më dërguan për në Spital të Marokenëve. Aty kokën ma kanë qepur në tri vende. Policia më ka marrë në pyetje. Thanë a i njeh, ju thash se po”.

Nexhmedin Ajeti: “Rreth orës 22:00 një turmë e madhe e serbëve ka hyrë në ndërtesën tonë, në lagjen Lulishtja. Në këtë ndërtesë pos meje ka banuar edhe një shqiptar, Mazllum Mehmeti. Ai ka qenë në katin e pestë, ndërsa unë në katin e tretë. Serbët shkuan në katin e pestë, po pasi dera e Mazllumit ishte derë e hekurit, nuk kanë mundur ta hapin. Pas një kohe kanë ardhur tek ne dhe thanë: ‘Otvori vrata’ (hapeni derën). Unë s’kam dashur ta hap derën. Prapë kërkuan e unë jo. Pas kësaj filluan të gjuajnë me automatik në drejtim të derës time. Jemi përpjekur që të mbrohemi, por s’kemi mundur me i përballu asaj. Prapë kërkuan, e pastaj kemi dëgjuar një eksplodim të madh. Dera ka dalë nga vendi i vet.

Pas kësaj menjëherë kanë gjuajtur një bombë e cila ka eksploduar, e pastaj edhe një bombë. Ashtu radhazi kanë gjuajtur edhe pesë bomba tjera në banesën time. Si pasojë e kësaj dy, fëmijët e mi janë lënduar. Edhe unë jam lënduar, gruaja dhe vajza e Gani Xhakës i cili ka qenë mysafir tek unë.

Përpos që kanë gjuajtur me bomba, kanë gjuajtur edhe me snajper prej ndërtesës përball meje, prej katit të shtatë, sepse të gjitha dritaret ishin thyer. Pas eksplodimit të bombave kanë filluar orenditë të digjen. S’kemi ditur ç’të bëjmë: a me fikë zjarrin apo të përballemi me ta dhe të shikojmë se çfarë po bëhet. Pas kësaj ata kanë ikur. Unë ende nuk e kam ditur se çfarë po ndodh në shtëpi. Kur shkova në sallon e pash që i lënduar është djali Nderim Ajeti, vajza Rrezarta Ajeti, gruaja e Gani Xhakës – Neriman Xhaka, dhe vajza e tij – Emine Xhaka. Kemi kërkuar ndihmë prej KFOR-it, po KFOR-i kurrsesi s’ka ardhur.

Kanë kaluar tri orë e gjysmë duke u përballur me trupat. Pas kësaj na kanë marrë dhe na kanë çuar në drejtim të Spitalit të qytetit, i cili gjendet tek Fabrika e Akumulatorëve. Djali, Nderim Ajeti, 13-vjeçar, më vdiq mbas disa orëve. Vajza është lënduar rënd, unë jam plagosur në këmbën e majtë. Ata janë thirr gjithë kohën te Dragan Delibashiqi, i cili ka qenë përgjegjës për krejt Mitrovicën”.

Pas deklaratave të 18 dëshmitarëve të Prokurorisë në lidhje me ngjarjet e vitit 1999, do të dëshmojnë 40 të tjerë për krimet e vitit 2000. Ivanoviq akuzohet se në Kosovë ka kryer krime të luftës kundër popullatës civile në vitin 1999 dhe 2000. Të akuzuarit tjerë janë Dragolub Delibashiq, Ilija dhe Nebojsha Vujaçiq dhe Aleksandar Lazoviq.

Nëse këta shpallen fajtorë, mund të dënohen deri me burg të përjetshëm. Drejtori ekzekutiv i KMDLNJ-së, Behxhet Shala ka thënë më parë për Telegrafin se “drejtësia e heshti masakrën në veri të Mitrovicës”. Ndërkaq, Halit Berani, përkitazi me këtë proces gjyqësor thotë se gjithçka varet nga dëshmia e dëshmitarëve, se çfarë ata dëshmojnë, por edhe nga ndërkombëtarët që janë të pranishëm në këtë proces.

“Sa i përket gjyqësorit tonë, nuk pres gjë nga ai”, thotë Barani. /Elfije Boletini/Telegrafi/

Nderim Ajeti

Shqipe Voca dhe Nezir Voca