Marash Kumbulla i mahniti të gjithë sezonin e fundit në Serinë A me Veronën, ku me paraqitjet e tij të shkëlqyera bëri që në gjurmët e tij të vihen shumë skuadra të mëdha, që dëshironin ta afronin. Mbrojtësi shqiptar bëri hapin e madh, teksa kaloi te Roma.

Për këtë ka folur edhe ish-trajneri i Kombëtares, Kristian Panuçi i cili për “Corriere dello Sport”, është shprehur se e kishte kontaktuar Kumbullën që kur ende nuk ishte titullar në Serinë B, për ta marrë në Kombëtare.

“Unë e thirra Kumbullën në Kombëtare ende pa mbushur 18 vjeç. Megjithatë asokohe më njoftoi drejtori sportiv i Veronës, D’Amiko, se lojtari kishte pësuar një dëmtim dhe qëndroi atje. Debutimin në Kombëtare e bëri pak më vonë me trajnerin Edi Reja. Ai është një mbrojtës modern, mund të luajë në mbrojtjen me 3 ose 4.

Është përmirësuar shumë me trajnerin Juriç te Verona. Tani ai duhet të demonstrojë se po bën një hap të rëndësishëm për tu rritur. Ai luan shumë mirë me këmbë dhe nëse vazhdon kështu do bëhet një lojtar i rëndësishëm. Vendosa ta telefonoja kur ai ende nuk ishte titullar në Serinë B, sepse i kisha parë cilësitë e tij dhe nuk kisha shumë mbrojtës.”, u shpreh Panuçi.