Në orën 20:00 të datës 6 tetor përfundoi edhe një prej merkatove më anormale në historinë e futbollit. E ndikuar në afate dhe shpenzime nga “COVID-19”, operacioni më në modë i transferimeve në muajt e fundit ka qenë huazimi.

Duhej të ishte nën shenjën e Mesit, por Kieza te Juventusi ishte një prej lëvizjeve më të rëndësishme në nivel ekonomik të kësaj vere-vjeshtë 2020 me më të mëdhatë e futbollit italian që kanë merituar nota të ndryshme në varësi të mënyrës se si kanë lëvizur në tregun e futbollistëve.

ATALANTA 7 – Pas aventurës së mrekullueshme në Ligën e Kampioneve, synimi madhor i Atalantës ishte që të mbante të paprekur ekipin. Gasperini mund të ndihet i kënaqur pasi nuk iu largua as Hatebër që pati kërkuar me zë të lartë largimin. Përveç cilësisë, drejtuesit kanë shtuar muskuj falë Romeros dhe përvojë ndërkombëtare me afrimin e Mirançukut.

FIORENTINA 6 – Amrabat u duk si qershia mbi tortë në fillim të verës, por afrimet e Kajehonit dhe Bonaventurës i kanë shtuar vlerën një ekipi që mbeti jetim pa Kiezën e larguar në çastin e fundit. Edhe Martinez Kuarta është një profil për t’u zbuluar, teksa rikthimi i Borha Valeros mund të ketë vetëm efekte pozitive.

INTER 8 – Hakimi është një investim i jashtëzakonshëm, por me Mesin merkatoja zikaltër do të kishte qenë për dhjetë me yll. Konte mund të kënaqet me qëndrimin e Lautaros dhe ardhjen e Vidalit, një +30-vjeçar që e bën ekipin më të qetë. Tashmë fjala u kalon fakteve në fushë.

JUVENTUS 8 – Prej më shumë se 1 viti e gjysmë flitej për Kiezën dhe më në fund faktet u bënë realitet. Bilanci impononte kujdes, por “Zonja” gjithsesi u pasurua me xhevahirë si Kulusevksi apo Morata e Artur, teksa Mekeni mund të jetë një armë më tepër gjatë sezonit. Në fakt, Pirlos i nevojitet një Pirlo, por mbase po e ndërton brenda mureve të “Kontinazës”.

LACIO 6.5 – Në pritje për të parë nëse Muriqi është një sulmues ndërkombëtar, Hëd do të ketë mundësi të tregojë vlerat që pati vënë në dukje gjatë përvojës së parë bardhekaltër. Simone Inzagi mund t’i gëzohet faktit që ka mbajtur në grup lojtarët më cilësorë, teksa Tare mund t’i ketë afruar ndonjë profil që do të tregojë veten gjatë sezonit.

MILAN 7.5 – Objektiva primarë ishin rinovimi i Donarumës dhe qëndrimi i Ibrës. Suedezi u sigurua, por për portierin çështja ka mbetur pezull. Ndërkohë, Maldini vuri në praktikë politikën e klubit që kërkonte të rinj dhe talent. Tonali e Brahim Diaz ngjasojnë si baste të fituara para kohe teksa edhe Hauge mund të rezultojë një zbulim i bukur i një ndeshjeje në mes të verës.

NAPOLI 7 – Zbarkimi i Osimhen është lëvizje prej pasanikësh, por megjithëse nuk ka shënuar ende, sulmuesi është kthyer në idhull të tifozërisë. Rrahmani nga ana tjetër është një mbrojtës sipas dëshirës së Gatuzos, ndërsa Petanja një alternativë ekstraluks. Largimi i Alanit kërkonte një afrim muskuloz dhe Bakajoko është ideali, pa harruar se goditja e madhe janë qëndrimet e Kulibalisë dhe Fabian Ruizit.

ROMA 6.5 – Pedro dhe Kumbulla, secili në mënyrën e vet, përfaqësojnë afrime cilësore. Për aspektet e tjera, merkatoja e Romës nuk ka ndjekur një fill logjik, edhe sepse ardhja e pronarit Fridkin ndodhi në një moment delikat. Disa lojtarë u zhvlerësuan, por mbase kursimi në rrogat e tyre mund të rezultojë lëvizje me vend e për skuadrën mund të investohet edhe në janar. Smalling mbetet gjithsesi një rikthim më se i dobishëm.