Shkuarja e Spanjës në zgjedhje parlamentare dhe Parlamenti jofunksional në Britani të Madhe, do ta anulojnë anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut (RMV) në NATO për në fillim të dhjetorit – kur duhet të mbahet Samiti i NATO-s në Londër. Sipas këshilltarit të kryeministrit Zoran Zaev, Ismet Ramadani anëtarësimi i RMV-së në NATO mund të ndodh edhe jashtë Samitit, në muajin janar të 2020-s, por jo më herët.


Sipas Ramadanit,
 situata në Spanjë dhe Britani të Made është pengesë teknike në procesin e miratimit të Protokollit.Gjasat që RMV-ja të anëtarësohet në NATO në fillim të dhjetorit, u shuan me dështimin e përpjekjes së fundit të ushtruesit të detyrës së kryeministrit spanjoll, Pedro Sançez të formojë Qeveri. Ky dështim pamundëson që Kuvendi i Spanjës ta ratifikojë Protokollin për anëtarësim të RMV-së në NATO.
Krahas Spanjës, Protokollin nuk a ka miratuar edhe Italia, Britania e Madhe, SHBA-ja dhe Islanda. Në Holandë dhe SHBA-ja procedura është një rrjedhë, ndërkaq për në Islandë thuhet se, “nuk ka nisur fare”. Nëse zgjidhet paqartësia me “Bregzitin” në Britani të Madhe, Spanja do të mbetet pengesa e vetme në anëtarësim.

Ai vlerësoi se, anëtarësimi për në NATO mund të prolongohet për në fund të muajit janar të 2020-s.“Kjo që po ndodh në Spanjë është një pengesë teknike. Nëse ndodh që Kuvendi s’do ta miratojë Protokollin, atëherë, pritshmëria që më 3 dhe 4 dhjetor, kur mbahet Samiti i NATO-s në Londër, vështirë është të realizohet dhe të shpallet anëtarësimi i plotfuqishëm i RMV-së. Problem plotësues ka krijuar edhe “Bregziti” në Britani të madhe, sepse për momentin edhe atje Parlamenti nuk është funksional”, tha për Portalb.mk, Ramadani.

“Kjo mund ta prolongojë anëtarësimin besoj më së shumti kah fundi i janarit. Atëherë duhet që pranimi i RMV-së të bëhet me ceremoni në Bruksel, kur edhe ndodh ngritja e flamurit të RMV-së. Ceremonia formale që bëhet duhet të ndodh sërish në Bruksel”, tha Ramadani.

Palmer: ende kemi shpresë për në dhjetor

“Ne gjithashtu kemi shpresë se Maqedonia e Veriut do të ecë përpara në rrugën e NATO-s dhe se mund të shohim që Maqedonia e Veriut të bëhet vendi i 30-të anëtar i NATO-s qysh në dhjetor, nëse gjërat ecin mirë”, ka thënë Palmer.Nga ana tjetër, në një intervistë për Zërin e Amerikës, i dërguar i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Metju Palmer ka deklaruar se ka shpresë që RMV-ja do të jetë anëtare e 30-të e NATO-s qysh në dhjetor.

“Ai është proces i pakthyeshëm. Çështja e anëtarësimit të plotfuqishëm në NATO është teknike, gjegjësisht nuk priten probleme me ratifikimin në cilindo shtet. Është vetëm çështje kohe se kur do të ndodh, varësisht procedurave të institucioneve në shtete”, tha për Portalb.mk, zëdhënësi i Qeverisë, Muhamed Hoxha.Nga Qeveria e RMV-së kanë vlerësuar se çështja e anëtarësimit të NATO-s është teknike dhe çështje kohësh.

Përndryshe, numri i shteteve që e kanë ratifikuar Protokollin e RMV-së për NATO-n arrin në 22. Kanë mbetur edhe shatë shtete.

Protokolli për anëtarësim në NATO është nënshkruar më 6 shkurt në Bruksel, pas zgjidhjes së kontestit me Greqinë për ndryshimin e emrit dhe nënshkrimin e Marrëveshjes së Prespës. Pasi të gjitha vendet anëtare të NATO-s ta ratifikojnë Protokollin në Kuvendet e tyre, Maqedonia e Veriut do të bëhet anëtarja e 30 e NATO-s.