Nuk u lodhën aspak duke hapur tunele, duke llogaritur turnet e rojeve, apo duke korruptuar ndonjë prej tyre. Të burgosurit në burgun kryesor të kryeqytetit Georgetown në Guajana bënë diçka shumë më të thjeshtë dhe që i vjen mjaft më natyrshëm.

I vunë flakën burgut dhe u hodhën në një revoltë të dhunshme për të krijuar shansin për t’u arratisur. Mediat vendase raportojnë se një prej gardianëve mbeti i vrarë dhe disa të tjerë u plagosën në revoltën e dhunshme që bëri të mundur arratisjen e katër prej tyre.

Sipas mediave, numri i të arratisurve do të ishte shumë më i lartë, nëse policia jashtë burgut nuk do të kishte rrethuar me shpejtësi ndërtesën, por sidoqoftë krerët e revoltës dhe disa nga kriminelët më të rrezikshëm në vend ia mbathën.

Të burgosurit i vunë flakën burgut për të hutuar rojat dhe më pas morën kontrollin e asaj që mbeti nga ndërtesa për të mundësuar arratinë. U desh ndërhyrja e ushtrisë për të shtypur revoltën në burgun e sigurisë së lartë në ish-koloninë britanike.

Por shtypja e revoltës la pas problemin e radhës, atë të strehimit të më shumë se 1000 të burgosurve pas djegies së qelive të tyre. Mësohet se për momentin ata janë strehuar në oborrin e një burgu tjetër aty pranë në qiell të hapur.