Në rrjedhën e takimeve “derë më derë” me qytetarët, kandidati i Lëvizjes BESA për kryetar në komunën e Çairit, Zeqirja Ibrahimi, së bashku me aktivistët e partisë së tij dhe të Aleancës për Shqiptarët, sot u ndal në lagjen ‘Xhon Kenedi’, ku vizitoi shumë familje që siç u shpreh Ibrahimi, për t’i falenderuar që i kanë mbështetur në rrethin e parë dhe njëkohësisht të kërkojnë që mbështetjen e njëjtë t’ua japin edhe për rrethin e dytë të zgjedhjeve. Ritëm i njëjtë i takimeve dhe vizitave, tha më tej Ibrahimi, do të vazhdojë edhe në ditët në vazhdim, deri në përfundimin e fushatës.

“Ashtu siç e kemi të parashikuar në agjendën e vizitave që i bëjmë gjatë kësaj fushate, sot gjendemi në lagjen ‘Xhon Kenedi’, për të vizituar familjet e kësaj lagjeje dhe për të komunikuar me ata si dhe për të kërkuar mbështetje në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale. Jemi disa ekipe të shpërndara nëpër të gjitha hyrjet e ndërtesave të kësaj lagje…. Ky ritëm i vizitave vazhdon çdo ditë në komunën e Çairit, pak më vonë jemi në pjesën tjetër të ndërtesave të vjetra dhe pak më vonë futemi edhe në lagjen e Seravës”, ka thënë Zeqirja Ibrahimi, Lëvizja Besa.