Unë i dëgjoj kolegët, edhe sot i kam dëgjuar gjatë gjithë kohës dhe me keqardhje më duhet të them se atë që e kam pas si dilemë gjatë gjithë kohës ditën e premte dhe sot është vërtetuar përfundimisht. Gjatë gjithë kohës kërkuat debat, kërkuat amendamente, kërkuat ditën e premte që të kishim më tepër amendamente, por ende nuk ishin shterur amendamentet që i kishim përpara për t’i diskutuar. Ashtu siç tha edhe kryesuesi, propozuesi i amendamentit nuk deshi ta mbrojë dhe sot nuk ishte aspak këtu. Kjo vetëm se nxjerr zbuluar vetë propozuesin e amendamenteve dhe gjithë ata që kërkonin debat, sepse koha dhe ajo që kërkonin debat, ja ku është momenti për të bërë debat. Duam me të vërtetë të dëgjojmë se cilat janë argumentet e tyre me amendamentet e veta që kërkojnë të njëjtën gjë thuajse me të gjitha amendamentet. Edhe ditën e premte edhe sot, jo që janë shterë amendamentet, por të nderuar kolegë, gjithë kohës të shterura i keni pasur argumentet, të harxhuara, më mirë të them nuk i patët asnjëherë. Unë nuk ju fajësoj pse nuk patët argumente, sepse as ju, as askush tjetër nuk mund të ketë argument që do na bind neve dhe çdo kënd tjetër se për të njëjtat arsye që ne e kemi shtetësisë, dikush tjetër edhe pse i plotëson të njëjtat kritere dhe kushte nuk e ka shtetësisë. Prandaj jeni të zbehur dhe nuk debatoni, as sot as ditën e premte. Proceduralet nuk e mbulojnë debatin që ju e kërkuat. Atë që thoni se duhet të ishim takuar me qytetarët, ne me kohë i kemi takuar.

https://my.pcloud.com/publink/show?code=5ZtV4xXZneFWMumC70XZwteKZqogo7hUNWqb32IWRmk5JYLcnWVRk

https://www.facebook.com/iliredauti01/videos/144693691122677/