Profesoresha Ilire Dauti nëpërmjet një postimi në fejsbuk ka reaguar pasi gati një muaj nga fillimi i vitit të ri shkollor, nxënësve akoma ju mungojnë librat.

Në vijim postimi i plotë:

Po bëhet gati një muaj nga fillimi i vitit të ri shkollor. Para vetes kam librat e fëmijëve të mi: libri i matematikës gjithë me detyra të zgjedhura, ca me stilolaps. Ai i gjuhës shqipe duket më i vuajturi fillon nga faqe 25 e kah mesi i mungojnë edhe ca fletë, kushedi ku kanë mbet. Ai i gjuhës angleze nuk është hiç, atyre që u ka rastisur ta kenë u’a përcjellin të tjerëve në formë fotografie, faqet ku i kanë detyrat, dramë e vërtetë. Historisë i mungojnë kopertinat, po ama i ka ato fletët ku e fyen historinë e lexuesit. Një pjesë tjetër prej libri shoh më andej që nuk arrijë ta kuptoj e cilës lëmi është, filloj të lexoj, bën fjalë për qeniet e gjalla, i biologjisë duhet të jetë. Fillojmë t’ju gëzohemi edhe copëzave, por përfundun edhe ato. Dymbëdhjetë lëndë kanë gjithësej, po ne kaq kemi para vetes…, po ju? Heshtjen e then një ulurimë që vjen nga televizori në formë të një thirrjeje për të votuar pro NATO-s dhe BE-së. Seç më vjen nëpër kokë ai fragmenti…, hapja nënës derën i përrallës së famshme. Jo, jo ti s’je nëna jonë dhe ai përsëri tanimë ka lyer edhe këmbët me miell – hape, hapja nënës derën bërtet.

Aman veç thirrje popullit mos i bëni se s’keni asgjë të përbashkët me vlerat që ndanë perendimi. Kam frikë se thirrja e juaj PËR, po iriton popullin e na merrni përsëri në qafë, ashtu siç na morrët çe sa e sa vite. Shoh që kjo ulurimë e juaja që transmetohet është e paguar. Po sikur ato para ti harxhonit për të furnizuar nxënësit me libra, sot s’do kishim këtë imazh para syve të prindërve e fëmijëve mes arsimtarëve e nxënësve të tyre dhe gjithandej, e zëri juaj s’do tingëllonte aq vrazhdë.