Ish-zv/kryeministri i Maqedonisë, ish-ministri i Shëndetësisë dhe kandidati i vetëm shqiptar për president që mori votat edhe të komuniteti maqedonas në zgjedhjet presidenciale të vitit 2009 në Maqedoni, Imer Selmani, në një intervistë për Gazetën Express ka folur për aktualitetin politik në Maqedoni, si dhe për rolin e politikës shqiptare dhe aspiratat evropiane të vendit.

Selmani në intervistë thotë se, aty ku ai ka nisur rrugëtimin e tij për një shtet të barabartë midis maqedonaseve dhe shqiptarëve në vitin 2009 si kandidat presidencial, tani po e vazhdon lideri i opozitës Zoran Zaev.

Gazeta Express: Zoti Selmani, Maqedonia po përballohet me shumë sfida. Ku e shihni ju daljen nga kjo krizë ekonomike dhe politike që e ka kapluar Maqedoninë?

Imer Selmani: Maqedonia në 25-vjeçarin e saj pas pavarësisë ose shpërbërjes së RSFJ-së ka kaluar në shumë sfida, më e madhe prej tyre ishte gjithsesi konflikti i armatosur i vitit 2001. Tani që dy vite gjithashtu Maqedonia kalon në një sfidë shumë të rëndë të një krize institucionale dhe brenda-etnike, brenda popullit maqedonas edhe kjo ka dallim shumë të madh nga kriza e vitit 2001.

Nëse kemi parasysh arsyet e krizës, e ato janë bisedat e përgjuara a të cilat u publikuan nga opozita maqedonase, konkretisht nga vetë Zoran Zaevi si lider i opozitës, në të cilat demaskohet  për keqpërdorime dhe manipulime udhëheqësia e VMRO-DPMNE-së në të gjithë institucionet të shtetit dhe keqpërdorimin e buxhetit të shtetit, lehtë kuptohet se pas demaskimit të udhëheqësisë së VMRO-së u krijua kriza e rëndë institucionale e cila u zbut me marrëveshjen e Përzhinos dhe zgjedhjet e parakohshme të dhjetorit 2016.  Në çastin kur VMRO-DPMNE nuk arriti të bëjë qeverinë me BDI, Presidenti i shtetit duke veprua në mënyrë antikushtetuese duke mos i dhënë mandatin shumicës me 67 deputet për formimin e qeverisë tani veç më e thelloi skajshmërisht këtë krizë institucionale, të cilën disa qarqe mundohet ta drejtojnë në një konflikt të ri ndëretnik.

Më e keqja qëndron se vetë presidenti akuzoi opozitën dhe partitë shqiptare për platformën politike të partive shqiptare se ajo qenka kërcënim për unitaritetin dhe sovranitetin e Maqedonisë, me këtë duke u munduar që krizën ta bartë në raportet ndëretnike.

Gazeta Express: A ka të ardhme evropiane dhe të sigurt Maqedonia?

Imer Selmani: Unë besoj se edhe nga kjo krizë vendi do të dalë dhe ata që kanë gabuar do të paguajnë për gabimet e tyre. Maqedonia si edhe gjithë rajoni e ka të definuar të ardhmen e vet në familjen e NATO-s dhe BE-së, dhe këto ditë shohim nga vetë krerët e tyre një përkrahje të madhe për vendin tonë në këtë drejtim. Normalisht se shumë punë duhet bërë politikanët e vendit që këtë transfer të pushtetit të bëjnë në mënyrë demokratike dhe të qetë.

Gazeta Express: Cili është vlerësimi juaj për aktorët e tanishëm të politikës shqiptare?

Imer Selmani: Partitë politike shqiptare, dëshmuan qe dy vite se nuk janë pjesë e krizës po pjesë e daljes nga kriza, tani ndoshta barra më e madhe na bie neve shqiptarëve që të shpëtojmë Maqedoninë nga skenarët e errët të cilët i fryn vetë një pjesë e elitës politike maqedonase.

Gazeta Express: Mendoni se këtë rrugë do ta vështirësojë të qenit jashtë institucioneve të partisë më të madhe maqedonase?

Imer Selmani: Më vjen mirë që pjesa më e madhe e qytetarëve të Maqedonisë pa dallim feje dhe etnie janë për Maqedoninë Evropiane, për Maqedoni me të drejta të barabarta të dy popujve më të mëdhenj në vend, të maqedonasve edhe shqiptarëve.

Gazeta Express: A do t’i rikthehet Imer Selmani politikës?

Imer Selmani: Personalisht nuk jam pjesë aktive e elitës politike qe disa vjet, por jap kontribut për një Maqedoni të reformuar dhe Evropiane. Duket se aty unë ku fillova vitin 2009 si kandidat për President me përkrahje të qytetarëve pa dallim etnie, Zoran Zaev e vazhdoi në vitin 2016 me konceptin qytetar të vendit me të drejta të barabarta të maqedonasve edhe shqiptarëve, me të gjitha dallimet që i kemi si përparësi, e jo si mangësi, në drejtimin dhe zhvillimin e vendit në rrugën e familjes së vendeve të zhvilluara të BE-së.