Ndërsa bota po bën përpjekje për të vaksinuar popullatat, rajoni i Ballkanit është dukshëm pas pjesës tjetër të Evropës, me vetëm dy vende të tij që e kanë nisur tashmë vaksinimin.

Në rajon, ka edhe përplasje se cila është më e mirë; vaksina perëndimore apo ajo kineze dhe nëse aleatët në SHBA ose BE do të zemëroheshin, nëse të paktën për momentin ndonjë nga vendet e Ballkanit do t’i drejtohej Moskës ose Pekinit.

Në Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, Bosnjë dhe Kosovë nuk ka nisur ende vaksinimi dhe nuk ka ndonjë të dhënë të saktë, se kur mund të fillojë. Asnjë nga këto vende nuk ka aktualisht ndonjë vaksinë; autoritetet vetëm premtuan që dozat e para do të mbërrinin në fund të këtij muaji. Vetëm Shqipëria ka arritur të sigurojë, në mënyrë simbolike, 2000 doza për një popullsi prej rreth 2.8 milionë banorësh.

Një përjashtim në rajon përbën Serbia, e cila bën pjesë në vendet që kryesojnë në Evropë për sa i përket numrit të qytetarëve të vaksinuar. Por, ndërsa Serbia blen vaksina nga Kina dhe Rusia, kjo edhe për shkak të lidhjeve të saj tradicionale me të dy këto vende, Maqedonia e Veriut thotë se është e orientuar drejt BE-së. Një këndvështrim të ngjashëm ka edhe kryeministri shqiptar Edi Rama, i cili e quajti ofertën e Moskës për vaksinën ruse “Sputnik V” si “provokim”.

Tani, Mali i Zi pret dërgesën e parë prej 50.000 dozash të vaksinës “Sputnik V” dhe Shkupi më në fund nënshkroi të hënën kontratën për blerjen e 200.000 dozave nga prodhuesi kinez Synopharm duke tentuar të justifikohet para Evropës. E në këto kushte, po lind edhe ai që po quhet turizëm vaksinimi.

Sipas DW, qytetarë të Bosnjës, shqiptarë të Kosovës, apo shtetas të Maqedonisë së Veriut dhe të Malit të Zi po shkojnë në Serbi me shpresën se atje mund të vaksinohen kundër virusit të rrezikshëm.