Ballkanin Perëndimor e kryeson Maqedonia e Veriut e renditur në vendin e 52, ndërsa pason Mali i Zi që renditet në vendin e 53 për rajonin e Europës dhe Azisë Qendrore, pas tij Serbia nga ana tjetër renditet në vendin e 61. Shqipëria renditet në vendin e 67, ndërsa Bosnja e fundit në vendin 99

Shqipëria është vendi më pak tërheqës në rajon sa i takon mundësive që investitorët shohin për të investuar, ndërsa e fundit renditet Bosnjë dhe Hercegovina në vendin e 99. Në Indeksin Global të Mundësive 2022, Shqipëria renditet në vendin e 67, me një shkallë përkeqësimi në raport me një vit më parë kur ishte në vendin e 66. Ballkanin Perëndimor e kryeson Maqedonia e Veriut e renditur në vendin e 52, ndërsa pason Mali i Zi që renditet në vendin e 53 për rajonin e Europës dhe Azisë Qendrore, pas tij Serbia nga ana tjetër renditet në vendin e 61. Por cilat janë në fakt fushat që perceptohen si më pozitive dhe ato që penalizojnë një vend në këndvështrimin e investitorëve?

Për Maqedoninë e Veriut, rezultati më i mirë është shënuar në perceptimi i biznesit dhe që lidhet me masat dhe kufizimet që has biznesi, si dhe lehtësimi në lidhje me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ku rezultati i regjistruar është ai i vendit të 50, me 4 shkallë ngritje krahasuar me një vit më parë, shkruan gazeta KOHA.

Dimensioni i dytë ku performon më mirë Maqedonia është sa i takon fondamenteve ekonomikë dhe që lidhet me parashikimin makroekonomik të vendit, veçoritë dhe kualifikimin e fuqisë punëtorë dhe potenciali për zhvillim dhe inovacion të vazhdim. Maqedonia renditet e 51, me një ndryshim të vogël nga një vit më parë, kur kishte marrë 54 pikë. Fusha e tretë në ecuri është te standardet ndërkombëtare që lidhen me faktin sesa i integruar është një vend me komunitetin ndërkombëtar dhe gjasat që të jenë konform standardeve ndërkombëtare – me 49 pikë. Më dobët duket se vendi paraqitet tek shërbimet financiare që kanë të bëjnë me masat dhe thellësinë e aksesit që ka një vend në shërbime të tilla, ndërkohë që edhe kuadri institucional paraqitet gjithashtu dobët me një renditje në vendin e 68 dhe që ka të bëjë me shkallën në të cilën institucionet e një vendi ndihmojnë ose pengojnë aktivitetin e biznesit.

Ndryshe, Indeksi hartohet çdo vit nga “Milken Institute”, një organizatë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Raporti merr parasysh faktorët ekonomikë dhe financiarë që ndikojnë në investimet e huaja, aktivitetet dhe politikat kryesore të biznesit, ligjore dhe rregullatore të përdorura nga qeveritë për të mbështetur dhe nxitur investimet.