Nga Remzi Salihu

1. Mungesa e një stimulimi të shëndoshë politik e kulturor, për t’i ndryshuar gjërat dhe vetitë e mbrapshta të një shoqërie, vështirëson rëndë të ardhmen normale të një vendi. Problemi kryesor i kësaj anomalie të manifestuar kësisoj, e që kërkon zgjidhje të shpejtë e të drejtë të mirëqenies vendore, afatgjate, duhet shikuar nga shumë kënde studimore.
Tanimë kjo çështje qëndron e shpaluar ndër sy të njerëzve, e vendosur mu aty në rreth të përhapur kaotik grupor, ku vardisja e keqe e turmës së sotme renditet e shtrembëruar në lakminë kulturore njerëzore. Këto lakmi të papërmbajtura e të prapambetura standardi, që janë përherë në ngritje ngacmuese të ngutshme, e që kapin përmasa të mëdha shqetësimi, kryesisht bien në trans të pavetëdijes së keqtrajtimit sistemor koherent në shoqëri.

Ndaj nga e këndejmja e vardisjes së keqe dhe prapavija e tyre e sherrit të stimuluar për t’u kyçur shpejt e shpejt në sistem politik jo stabil, dëmton progresin e përgjithshëm shoqëror. Madje nga kjo gjendje mugët shoqërore, ndërtohen në skenë kulturore gjithfarësoj mekanizmash e dredhishë individuale e klanore të zhdërvjellëta për ta keqpërdorur pozicionin. Kështu individi për t’u kyçur e avancuar në rreth konjukturash, me praninë e shkathtësisë së atij niveli manifestiv të akorduar ulët e të prapambetur, gjithnjë vepron keq me ritmin e saj të pa akorduar të kompozicionit karrierist dhe ndihmon njëanshëm në ngufatjen e perspektivës tërësore shoqërore.

Më në fund nga këto lloj strukturash të kyçura i gjithë ky angazhim i brishtë kalon e bie në dëm të një kolektiviteti ekzistues me decenie të tëra.

Aty bëhen gjithfarë lloj kalkulimesh e llakërdirash individuale e klanore, për të arritur qëllimin e paramenduar të të mirave objektive ekzistuese. Kuptohet partitë janë grupe interesash që duan të qeverisin me të mirat e një shoqërie. Por, po që se ato të mira të paramenduara, menaxhohen në mënyrë proporcionale, nëse të zgjedhurit nuk manipulohen gjatë atij mandati të fituar, ai grup partiak që i shërben qytetarit drejtë e mirë, do të ketë jetë më të gjatë funksionimi.

Prandaj njëherë e mirë duhet të dinë partitë këtij nënqieli se janë indigo e vënë në atë hierarki veprimi për t’i shërbyer qytetarit dhe jo qytetari t’u shërbejë atyre.

2.. Njeriu si qenie politike më e përsosur që është, për të mbijetuar në konkurrencë jete, i përdor të gjitha mundësitë dhe mekanizmat e veprimit përfitues.

Kjo formë jetese, e lakmisë irrituese, kështu siç veprohet te ne, bashkë me këtë standard dijesh të kufizuara, zgjat ankthshëm me decenie në territorin e ngushtuar, të ashtuquajtur Ballkan. Dhe çdo imazh i vrazhdë politik, që na imponohet pahiri neve nëpër sy e mendje, si qenie absorbuese të pa fajshme që jemi, të kapjes së vlerave dhe jo vlerave shoqërore, të shfaqura sot në arenë kohe, na duket, tanimë, si problem enigmatik i pazgjidhshëm.

Madje na duket se ky vend, nga dita në ditë, është duke na përmbytur gjithnjë e më shumë në shakullinën e ftohtë të akullit politik të rëndë të varfërisë, që nuk jep shenja optimiste afatgjate.

Prandaj ky fenomen i ngrirë ka hyrë gjatë kohë në veprim menaxhimi, si plagë e rëndë dhe e pashërueshme në trupin e qytetarit të urtë, i cili do gjërat t’i sheh ndryshe nga këndi pozitiv i përceptimit të tij altruist.

Mungesa e energjisë pozitive për të gjetur burimin dhe shtegun e shkaqeve të kësaj prapavije të errët kulturore, e cila si e tillë është akumuluar dhe kurdisur keq me vite të tëra, zgjat potencialin tonë utopik të kërkimit të vazhdueshëm të ilaçit në shumë drejtime koherente të jetës.

Në këtë segment jete pulson e përplaset fryma e ftohë e frazave të modernizmit të pakuptueshëm, ku minimalizmi pompoz shtrihet si shenjë e përhershme e Kitschit të adaptuar fals në postmodernizëm kulturor.

3. Ekzistojnë shumë parti, asociacione e institucione, për të vepruar pozitivisht në hapësirë e kohë të duhur, madje, për t’i avancuar vlerat e mirëfillta, por neglizhenca dhe orientimi romantik e patetik i manifestimit të gabueshëm, i cili manifestim stimulohet me të madhe nga interesi i ulët klanor e fisnor, që nga ardhja e demokracisë e deri më sot në këto hapësira, i ka vështirësuar lëvizjet njerëzore përparimtare nëpër të gjitha segmentet e jetës së ushtruar.

Shumë qytetarë në ngutje, kur e panë këtë liri të pastandardizuar, u vardisën bythëkrye për manipulim “shfrytëzimi” në këtë drejtim lakmitar e kalimtar, pa kriter. I mprehën thikat e grabitjes së mishit të skaduar pluralist, për të përfituar sa më shumë e sa më shpejtë të mira të brishta, që sjell kjo kasaphanë e lirisë së shthurur të shprehjes, e cila liri tanimë nga pesha e moteve të rëndura demokratike burgoset në pavetëdije “kitschi” e shundi manifestiv të gjerë.

Ajo sot është duke derdhur gjak të papastër emancipimi të rëndë mbi këtë truall të shenjtë e të bekuar nga Perëndia. Njeriut nuk i duhet të bëjë shumë përpjekje për ta kuptuar këtë frymë improvizimi të kulturës së keqe, që ulë gradualisht tensionin normal të standardit të qytetarit. Plagët e romantizmit akoma veprojnë vrullshëm në ndjenjat e njerëzve euforikë. Dhe ato fushata frenetike të avansimit gjithandej nëpër tubime e asociacione të grupeve të caktuara kulturore, akoma merren me refrene patetike të nostalgjisë folklorike, të tejkaluar nga koha e moda.

Nuk them të mohohet historia kulturore e artistike, por ajo duhet të ketë vendin e kujtesës së vet në hierarkinë e besimit shkencor të vullnetshëm e të argumentuar me dije e fakte, për të shkuar sa më fuqishëm nga ardhmja ndritur, me traditë të shëndosh shkencore.

Duhet poseduar kulturë erudite e poliglote për t’u qasur arkivave dhe institucioneve hulumtuese, kryesisht për të sjellë diçka të shëndosh nga shkenca e preferuar. Nuk është shkencë të tregosh burimin se ku ka pirë ujë Xhem Hasa me shokë. Apo çfarë sheshiri e kaçkëte ka mbajtur Umberto Eko. Si e ka pirë cigaren Zhak Preveri dhe sa dashnore ka pasur Lasgush Poradeci.

Kjo është marrëzi e rëndë papërgjegjësie kreative e individëve . Them kështu pasi ne akoma jemi të ngarkuar me robërinë mendore, deklarative, të fjalorit patetik të njëmendësuar e të kufizuar nga e kaluara historike, e cila e kaluar, sot, nuk i përshtatet zhvillimit teknologjik të nevojave të kohës sonë moderne, për të shkuar guximshëm dhe vëmendshëm përpara.

4.Kërkesat e rinisë janë të mëdha, ata shohin dhe dinë më mirë se ne dhe janë një kohë më tej kohës sonë për t’i ndryshuar gjerat. Ata me guximin e tyre dinë çka kërkojnë nga vetja. Sot nuk është arsyetim modest të thuash se nuk di t’i përdori rrjetet sociale të komunikimit, si është Facebook, Twitter (X), Instagram, kurse në anën tjetër të fushatës pretenduese karrieriste, kërkon të bëhesh lider konkurrues për të udhëhequr një grup shoqëror të caktuar njerëzish, mbase ai grup gjoja përkrahës të pretendimit tënd madhor, reformues, në trupin e vet i ngërthen të gjitha kategoritë e njerëzve e të rinisë së shkathtë, të cilët i posedojnë këto aftësi dalluese, që Ti si individ nuk i ke kultivuar vet, si mundësi e re komunikimi i mundshëm, gjatë rrugëtimit karrierist rutinor.

Andaj si do të avancohet jeta kështu përpara?
Mos definimi i kërkesave pozitive dhe mos zbatimi i ligjeve të drejta të njerëzve në sistem, sjell keqësim edhe më të madh të situatës dhe ngritjes politike nëpër të gjitha poret e jetës.

Vetëm ndryshimet rrënjësore, reale të qasjeve kulturore e politike të shëndosha, do të jepnin efekt ndikues pozitiv, afatgjatë, në historinë njerëzimit të kësaj ane. Kjo arrihet shumë lehtë në vetëdijen tonë, po qe se ato eksperimente arsimore efektive përhapen sipas mundësive të arsyeshme të shkollimit të sistemuar profesional, dhe sipas rregullave të vlerave estetike të shëndosha që ka bota e civilizuar. Në të kaluarën disa gjëra që ishin të paarritshme dhe absolute, sot ato janë bërë shumë të thjeshta dhe të mundshme, të kapshme dhe të tejkaluara për kohën.

Pse themi përherë se gjërat na përsëriten në jetë? Kjo a nuk është një përvojë e keqe e punës, fatit tonë të pa sistemuar dhe të kërkuar ndryshimin, përherë, në formë të njëjtë klisheje e adaptimi të bastarduar!? Lakmimi për gjërat që nuk i meritojmë dhe nuk dimë t’i bëjmë mirë na ka sjellë në këtë derexhe kohe, që na e ngatërron shtegdaljen nga kjo turbullirë standardi të ulët.

Njerëzit vazhdimisht janë të prirë ta ndryshojnë veten sipas nevojës së tyre të interesit që ua pleks dhimbja dhe gëzimi i tyre shpirtëror afatgjatë. Por në mikrokozmosin e natyrës njerëzore dhe në shpalimin e përditshmërisë së jetës së tij fshihet bota e kufizuar e artit të veprimit alternativ altruist. Nga kjo bindje na del se altruizmi është forma më e sofistikuar e formimit të lartë individual. Dhe kjo formë emancipuese e vetëdijes së përsosur, bëhet më e përshtatshme dhe më e mirë atëherë kur kemi vullnet alternativ për ta kuptuar tjetrin se si duhet të veprohet në një shoqëri për të mirën e përgjithësuar.

A i posedojmë ne si njerëz këto veti personale në jetë? Secili duhet t’ia kishte bërë këtë pyetje vetes, para se të marrë një përgjegjësi pune me peshë dhe përgjegjësi të madhe në shoqëri. Dëshira e njeriut, në brendi të vetes, është përherë kërkesë e fuqishme e vullnetit të thellë individual për arritur aty ku nuk ka mbërritur akëcili.

Shumë herë dëgjohet refreni “jam i mençur, por materialisht i varfër”. Të jesh i mençur dhe i ditshëm e të vuash nga skamja, këto dy gjëra nuk shkojnë bashkë logjikisht se aty mungon diçka e sinqerë dhe reale në thellësi të vetes. Megjithatë njerëzit kanë zhdërvjelltësi të ndryshme për t’u dalluar njëri prej tjetrit, ndaj pretendojnë gjithnjë për avancim vetjak më të mirë, kjo është e mundshme, por ky segment jete duhet të arrihet në mënyrë të ndershme. Mbase ky oreks i pangopshëm i kërkesave njerëzore, avancuese të dallueshmërisë nuk ka fund, sepse njeriu për nga natyra është gjithnjë i ngarkuar me këto ambiciet e tij të shumta e të pa kufizuara.

Por me çfarë energjie trupore duhet të shtegtoj ky fluturim njerëzor nëpër këto kërkesa të shumta?! Pastaj kah ecën ky individ i “përsosur”, i quajtur njeri i kohës, në këtë pafundësi dëshirash motivuese materiale? Pyetjeve të këtilla u duhet hapja e shtigjeve të reja. Po qe se ne nuk e stimulojmë lirinë e mendjes, të konsultuar vëmendshëm me zemër e shpirt, bashkë me afrimin e miqësive dhe shkathtësive të reja rreth vetes, vështirësitë e komunikimit për njohje reciproke do të na rreptësohen dhe vështirësohen gjithnjë dhe në çdo kohë. Standardi jonë do të ketë rënie dhe vullneti do të përkeqësohet, kurse mënyra e ngritjes kulturore e jetesës normale edhe më shumë do të vështirësohet.

5.Të gjithë njerëzit dallohen për diçka të mirë, njëri prej tjetrit. Dhe mirë është që kemi këto dallueshmëri atraktive, që na stimulon për të formuar konkurrencë zhvillimi, me diverzitete fërkimesh njohurishë të ndryshme, për të shkuar edhe më tej përpara, si të veçantë, në jetë e shkencë.

Individualizmi është forma më e mundshme për ta kuptuar e dalluar talentin dhe veçantinë e çdo personi. Por duhet zbuluar dhe mundësisht të kuptohet se çfarë energjie fshihet në trupin e tij që do ta promovojë veten në dobi të kohës, shoqërisë dhe globit ku frenkuenton shkathtësia e tij, kundrejt konkurrencës së gjithë të tjerëve që veprojnë në shoqëri. Ku gjendet ai njeri që merr guximin të veprojë pa ndikueshëm dhe në çfarë stadi emancipues shpërndan energjinë e tij personale? Tereni dhe kushtet klimatike të vendit na i afrojnë të gjitha mundësitë për të jetuar mirë dhe shëndetshëm.

Të jesh i varfër në këtë Tokë e teren të mrekullueshëm, me plot të mira dhe begati gjeostrategjike, do të thotë se jemi renditur keq në menaxhimin sistemor shoqëror. Jemi lakmitarë të pa përmirësueshëm. I duam ato të mira që si meritojmë. Jetojmë si parazit në kurriz të huaj. Suksesi i tjetrit gjithnjë na pengon. Intoleranca bëhet poligon i hapur dhe betejë lufte negative më e shëmtuar e kohës sonë.

Jemi hakmarrës dhe keqbërës ndaj tjetrit. Kënaqemi kur gabon tjetri, për të ardhur vet në skenë. Kërkojmë avancime të pa merituara. Papunësia, hajdutëria dhe shpifja e kanë keqësuar dhe ngushtuar situatën e jetës, të të jetuarit lirshëm dhe normal.

Askund në botë nuk jetohet pa punë, vetëm në Ballkan, kjo mënyrë jetese është e mundshme të zbatohet, ngase njeriu zhvillohet në shoqëri parazitizmi të sistemuar patriarkal. Këto janë disa rrethana dhe fenomene shoqërore të dukshme pse nuk na shkojnë punët drejtë e mbarë. Nga kjo pakujdesi qytetare emancipuese çdo gjë keqësohet.

Para së gjithash neve na keqësohet gjendja ekzistenciale, kurse pasardhësit e ngatërrojnë shtegun e orientimit normal të jetës së tyre në të ardhmen. Fillojnë ta urrejnë vendin. Ata e humbin busullën e katapulltimit dhe ngritjes së guximshme për zhvillim të më tejmë, përhumben, keq e më keq, nëpër mjegullnajën e fatit dhe fatkeqësisë që ua shtron jeta nga të papriturat dhe pakujdesia e tyre dhe e të tjerëve, e cila pakujdesi tanimë sipas standardit të ndërgjegjes së kufizuar që është, derdhet e errët nëpër këtë shteg morali të gjatë kërkimi emancipues.

Lëndohen kërkesat e shumta, me shtëllunga ngatërresash politike kalojmë nëpër drunjtë e pyllit të madh e të panjohur të jetës artistike. Futemi të habitur nëpër këtë malin e shpeshtë e të errët të meditimit të turbullt, që fsheh fshehtësitë e veta të jetës së panjohur nga rrethanat.

Të mbuluar midis shkëmbinjve dhe shpellave të mëdha ekzistuese që janë vendosur këtej pari, si vetëdije e kulturë, apo si barriera mbrojtëse të përkohshme avansimi. Të pa kuptimësisë së politikbërjes, për shpëtim të rastësishëm kulturor individual, sepse nga këto prapështi evidente që kemi kultivuar ne si shoqëri, ujqit e uritur mezi presin kafshimin e pritur kaherë të këtij personaliteti të pa ndërgjegjësuar sa duhet, të derdhur nëpër mugëtirën e servuar të imagjinatës së dhënë njëanshëm dhe shtirshëm.

Orteku mendor na ka përplasur pavetëdijshëm në humnerën intelektuale brishtë. Gjërat janë përzier aq keq sa që ne nuk jemi të vetëdijshëm për pasojat e përplasjes në të ardhmen dhe se këto ujëra të turbullta që vijnë kështu vërshueshëm e që kanë dalë prej shtatit të tyre të pakontrolluar, nuk dihet se në cilin breg do ta hedhin qenien tonë lashtë e të pambrojtur. Sepse këtu te ne përplasen batica dhe zbatica dallgësh politike të pastandardizuara sa duhet dhe shumë shpejt nga ky dribling dhe derdhje sherri të kurdisur pa kriter, kurrkushi bëhet dikush dhe anasjelltas, dikushi bëhet kurrkush.

Mjafton të jesh një militant i besueshëm i ndonjë partie, për t’u graduar diku në postin e pamerituar. Partia ta varr kravatën për fyti dhe të përcjellë si kukulla Barbi nëpër manifestime e dekorime patetike “patriotike”, anembanë vendit, për të trumbetuar, kryesisht, vlerat të pa qena. O ju bijtë e shekullit kërkoni profesionistët për t’u shkuar punët mirë e mbarë përpara! Mos lakmoni gjërat e pa merituara! Ato gjëra që me praninë tuaj dëmtojnë të tjerët.

Në këtë pikëtakim kohe, politika në Ballkan shëmbëllen si ndonjë ring i hapur boksierësh të papërmbajtur mirë nga normat e boksimit real, për konfrontim lufte të drejtë, siç do ta kishte dashur natyra e drejtë e boksit. Por ju të papërgjegjshëmit jeni vardisur keq, ku secili mundohet kundërshtarit të të tij t’ia mëshojë fortë, pa dhimbje të provuar në vete, dhe sa ka fuqi e godet në vendin sa më të keq të trupit, padyshim t’i bie aty ku nuk duhet, mu në herdhe, pa i respektuar aspak rregullat e sportit të drejtë, që ai luftëtarë i ushtruar ashtu egërsisht, mandej në konfrontim të hapur, të ketë mundësi më të lehtë, ta rrëzoj në nogdaun kundërshtarin e vet. Ai “sportist” për akrobacionet e tij luftarake jo të drejta, përdor metoda të palejueshme e të pista në ring, ku skandalizohet debati.

Programet tona televizive janë të mbushura me kësi lloj atakesh “boksjerësh”, politikanësh e analistësh të papërgjegjshëm e të pa nivelizuar sa duhet. Eh! Me çfarë provokimesh banale përballemi, pa një kompetencë serioze shkencore debatojnë për tema të mëdha e që nuk i dinë fare t’i trajtojnë sipas rregullave të moralshme kulturore. Mjerë qytetari me çfarë standari përfaqësuesish politik e kulturor avancohet, por ndoshta ky nivel i tillë i klasës politike e kulturore, “pozitë” e “opozitë”, ka ardhur si dhuratë e mundshme e shtirjes së madhe kulturore, siç është vet koka e kësaj shoqërie të panivelizuar demokratike. Këtu në këtë mugëtirë kohe merr vrull imponimi vërshues i militantizmit nga të gjitha ngjyrat partiake për të qenë dominant në funksionimin e pushtetit të mundshëm, në kohë e hapësirë, që sjell të mira materiale të shpejta në të ardhmen e tij.

Ato militantë i mprehin kthetrat e grabitjes së interesit në terren. Ato përbirohen me potencën negative nga situata në situatë për të promovuar e iniciuar imazhin influencës së epërsisë sunduese “të nënës parti” mbi të tjerët. Për të qenë të pranishëm në funksionimin e zonave manovruese të rehatisë, ku do të shihen vlerat e kurdisura që sistemi ua imponon si detyrim i mundshëm në oazën e kënaqësisë së vetëqeverisjes vetjake. Kështu vazhdon ritmi dhe refreni politik i shumë partive dhe fraksioneve të mëdha, që paraqiten nga dita në ditë, si kundërshti të shumta që sjell koha, e që nuk bazohen në parime të shëndosha kulturore e shkencore afatgjate.