Kodra e Diellit është lënë tërësisht pas dore nga ana e kompanisë shtetërore “Elem Turs” që menaxhon me këtë qendër turistike. Asgjë nuk po ndërmerret për përmirësimin e
infrastrukturës e cila çdo vit e më tepër shkatërrohet, ndërsa edhe përfaqësimi i të punësuarve shqiptarë nuk ka avancuar.

Sipas të dhënave të siguruara nga punonjësit e kompanisë, përveç drejtorit paralel të qendrës, katër udhëheqësit tjerë që menaxhojnë me 70 të punësuarit nëpër objektet që
funksionojnë në kuadër të kompanisë shtetërore në Kodrën e Diellit, janë maqedonas.
Sipas punëtorëve, drejtuesi i përgjithshëm i hotelerisë është një maqedonas që ka të kryer shkollën e mesme të zdrukthëtarisë kurse financat i menaxhon një person që ka të
kryer shkollën e mesme të ndërtimtarisë pavarësisht se kontabilitetin e udhëheq një shqiptar që ka të kryer fakultetin ekonomik.

Edhe përgjegjësi maqedonas për teleferikët ka të kryer vetëm shkollën e mesme, ndërsa dy shqiptarë me fakultet të makinerisë dhe përvojë 30 vjeçare punojnë si ndihmës tek
teleferiku.

“Ekipi i televizionit Alsat tentoi të merr prononcime edhe nga punëtorët që janë të angazhuar si staf teknik në hotelin e quajtur “Popova Shapka”, megjithatë, punëtorët iknin
nga kamerat duke thënë se e kemi të ndaluar nga drejtoria që të prononcohemi. Të njëjtën deklaratë kanë dhënë edhe dy drejtorët”.

Punëtorët pas kamerave, kanë deklaruar se, para tre muajve kanë bërë një kërkesë për sistematizimin e tyre sipas gradave, por pas kërcënimeve që kanë marrë nga drejtoria se
do largohen nga puna, kanë hequr dorë nga kërkesat e tyre.

Sipas të dhënave të siguruara nga Alsat, nga gjashtë punësimet e fundit me kontratë, është pranuar vetëm një shqiptarë.

Alsat, tentoi të merr prononcim edhe nga dy drejtorët e qendrës “Kodra e Diellit”, por ata refuzuan të flasin me arsyetimin se, një gjë të tillë e kanë të ndaluar nga
kompania “Elem Turs”.

Për këto probleme nuk ka folur as drejtoresha e kësaj kompanie shtetërore Jovanka Stojanova.